Zhvillimet politike, e ardhmja euroatlantike e rajonit dhe projektet e përbashkëta në mes Kosovës dhe Malit të Zi qenë tema diskutimi në mes Abdixhikut dhe Abazoviq.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku është takuar me Kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq, të premten.
Me anë të një postimi në Facebook, Abdixhiku ka dhënë detaje nga takimi i tyre në selinë e LDK-së.
“Sot, në selinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, prita kryeministrin në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazović. Biseduam mbi zhvillimet e fundit politike në të dyja vendet, siç dhe shkëmbyem pikëpamjet tona për të ardhmen euroatlantike të të gjithë rajonit. Mali i Zi, shtet anëtar i NATO-s, njohës i rendit të parë i pavarësisë së Kosovës, ndanë të njëjtën të ardhme me Republikën e Kosovës. Biseduam për projektet e përbashkëta kapitale si dhe lidhjen e fortë emocionale e historike që populli i Kosovës ka – në veçanti – me shqiptarët në trevat e Ulqinit, Tuzit, Tivarit, Plavës, Rozhajës e Gucisë”, ka shkruar ai.
Në një konferencë për media më herët të premten, kryeministri Abazoviq është shprehur bindshëm se Mali i Zi dhe Kosova janë duke dhënë shembull rajonal se si duhet të bashkëpunohet.