Departamenti amerikan i Drejtësisë ka kërkuar që Jack Teixeira, i dyshuar në lidhje me rrjedhjen e dokumenteve konfidenciale nga Pentagoni, të mbahet në paraburgim deri në gjykim.
Ai u paraqit sot në Gjykatën Federale në Boston.
Ky 21-vjeçar, anëtar i Gardës Kombëtare Ajrore të Masaçusets, u arrestua nga agjentët e Byrosë Federale të Hetimit (FBI), të enjten, më 13 prill.
I veshur me pantallona të shkurtra dhe një bluzë, Teixeira u arrestua, ndërkohë që helikopterët me ekipet e gazetarëve filmuan gjithçka nga sipër.
Ai dyshohet se ka nxjerrë dokumente shumë të ndjeshme nga qeveria amerikane, në lidhje me luftën në Ukrainë dhe aleatët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA). Ai u identifikua si drejtues i grupit të bisedave në internet ku u shfaqën dokumentet për herë të parë.
Sekretari i Drejtësisë Merrick Garland tha se Teixeira, i cili ishte i specializuar për aktivitetet e inteligjencës në Gardën Kombëtare, do të akuzohet për “marrje, mbajtje dhe transmetim të paautorizuar” të informacionit të klasifikuar në lidhje me mbrojtjen kombëtare.
Agjentët e FBI-së e morën Teixeiran në paraburgim, pa incidente”, tha Garland, duke shtuar se i dyshuari do të nxirret para Gjykatës Federale në Boston.
Javën e kaluar, Sekretariati i Drejtësisë nisi një hetim penal pasi çështja u përcoll nga Pentagoni, i cili po vlerëson dëmin e shkaktuar nga publikimi i të dhënave të pretenduara të inteligjencës, raporton Reuters.
Pretendohet se disa nga dokumentet ofrojnë detaje rreth aftësive ushtarake dhe problemeve në ushtrinë ukrainase, si dhe informacione për aleatët e SHBA-së, si janë: Izraeli, Koreja e Jugut dhe Turqia.
Reuters ka pasur qasje në më shumë se 50 dokumente të shënuara si “sekrete” ose “tepër sekrete”, por nuk e ka konfirmuar në mënyrë të pavarur vërtetësinë e tyre. Besohet se ka më shumë se 100 dokumente, të cilat kanë rrjedhur.
Disa vende të caktuara kanë vënë në dyshim saktësinë e disa prej dokumenteve , ndërkaq Britania e Madhe ka thënë se ka “nivel serioz” të informacioneve të pasakta.
Gjithashtu, ndër informacionet që u shfaqën, janë pretendimet se Serbia, si i vetmi vend evropian që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, përveç Turqisë, po eksporton armë në Ukrainë.
Presidenti i këtij shteti, Alleksandar Vuçiq i mohoi këto pretendime, dy ditë pasi Reuters raportoi për dokumentet e zbuluara.
Presidenti amerikan Joe Biden tha të enjten se nuk është shumë i shqetësuar për dokumentet që dolën në publik, por është për faktin se pse ka ndodhur kjo.
Teixeiran ka punuar në bazë ushtarake dhe ka ndarë materiale në një grup privat në internet, raportoi Washington Post, më 13 prill.
Zyrtarët amerikanë nuk e kanë konfirmuar vërtetësinë e dokumenteve, imazhet e të cilave qarkulluan në platformat e mediave sociale për javë të tëra dhe shkaktuan alarm te disa aleatë të SHBA-sw.
Dy anëtarë të grupit në platformën sociale online Discord, thanë për Washington Post-in se qindra faqe materiale ishin postuar atje nga një burrë, i cili u tha atyre se punonte në një bazë ushtarake amerikane dhe se kishte marrë dokumentet me vete në shtëpi.
Dhjetëra fotografi të dokumenteve janë gjetur ditët e fundit në Twitter, Telegram, Discord dhe faqe të tjera, megjithëse disa mund të kenë qarkulluar në internet prej javësh, nëse jo muajsh, përpara se të fillonin të fitonin vëmendjen e mediave.
Zyrtarët amerikanë nuk kanë konfirmuar publikisht se materialet e paraqitura në foto janë origjinale dhe vërtetësia e tyre nuk mund të verifikohej menjëherë në mënyrë të pavarur.
Pentagoni thotë se publikimi përfaqësonte “rrezikun shumë serioz për sigurinë kombëtare”.
Rrjedhja e dokumenteve shpërfaqi shqetësimet e SHBA-së lidhur me kundërofensivën e ardhshme ukrainase kundër forcave ruse dhe paralajmëroi se ajo kishte spiunuar aleatët Izraelin dhe Korenë e Jugut./REL