Dëshmitar okularë të ngjarjes janë siguruar nga Policia e Kosovës për rastin në Pejë ku dyshohet se i biri ka vrarë nënën e tij.
Në një prononcim për media, Prokurorja e rastit Sahide Gashi tregon se i dyshuari është arrestuar dhe se të njëjtin kanë tentuar ta marrin në pyetje.
“Kemi provuar që të dyshuarin ta marrim në pyetje mirëpo nuk ka qenë në gjendje…kështu që kemi kërkuar edhe nesër që në prani të psikologut dhe avokatit mbrojtës të provohet të mirret deklarata e të njëjtit”, ka deklaruar ajo gjersa ka theksuar se hetimet do të vazhdojmë.
Nga ana tjetër, bëhet e ditur se autopsia e së ndjerës tashmë është kërkuar.
Më herët të premten, Shkodran Nikçi nga Prokuroria Themelore në Pejë ka bërë të ditur se i dyshuari për vrasjen në Pejë është ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit.
“Është ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit. Gjatë afatit ligjor do të bëhen të gjitha veprimet e nevojshme hetimore”, ka treguar Nikçi.
Ky i fundit nuk ka dhënë përgjigje nëse naj të dyshuarit është bërë kërkesa për paraburgim.
Ndryshe, një grua është vrarë pasditen e së premtes në rrugën “Mbreti Zog” në Pejë.
Rastin për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova.
Rugova ka bërë të ditur se është arrestuar i dyshuari, ndërsa ekipet mjekësore kanë konstatuar vdekjen e viktimës në vend të ngjarjes.
“Sot rreth orës 16:00 policia ka pranuar një informatë për një ngjarje në rrugën “Mbreti Zog” në Pejë. Policia është paraqit në vendngjarje dhe sapo ka arritur aty ka kuptuar se bëhet fjalë për një vrasje të rëndë dhe aktualisht ekipet tona janë në vendngjarje. Ekipet mjekësore kanë konstatuar vdekjen e viktimës aty derisa Policia e ka arrestuar të dyshuarin”, ka thënë Rugova.
RTV Dukagjini mëson se bëhet fjalë për një rast ku dyshohet se djali ka vrarë nënën e tij.