Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Sibel Halimi ka reaguar lidhur me vrasjen në Pejë, ku dyshohet se i biri ka vrarë nënën.
Halimi ka thënë se kjo ngjarje “të dridh në shpirt” dhe këtë e konsideron si alarm për shoqërinë dhe institucionet.
Zëdhënësja e LDK-së ka thënë tutje se shoqëria kosovare po tronditet nga dhuna e vrasjet, ndërsa sipas saj nuk ndërmerret asnjë hap drejt ndryshimit të mendësisë dhe politikave ndëshkimore.
“Institucionet e shtetit, urgjentisht duhet të mendojnë për një qasje shumë dimensionale për luftimin dhe parandalimin e dhunës në familje. Tashmë nuk kemi të bëjmë me raste të izoluara, por për një plagë shoqërore thellësisht strukturore të dhunës së fshehur brenda psikologjisë shoqërore”, ka shkruar Halimi.
“Nga gjuha denigruese e misogjene deri te vrasjet, ky është realiteti. Por fatkeqësisht po na mungon adresimi, ndëshkimi dhe përkrahja e viktimave”, ka shkruar tutje Halimi.
“Në të kundërtën dhuna dhe vrasjet kanë filluar të shndërrohen në përditshmëri deri në normalizim”, ka theksuar ndër të tjerash Halimi.
I dyshuari për vrasjen në Pejë është ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit.
Lajmin për Dukagjinin e ka bërë të ditur Shkodran Nikçi nga Prokuroria Themelore në Pejë.
“Është ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit. Gjatë afatit ligjor do të bëhen të gjitha veprimet e nevojshme hetimore”, ka treguar Nikçi.
Ky i fundit nuk ka dhënë përgjigje nëse ndaj të dyshuarit është bërë kërkesa për paraburgim.