Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, ka përkujtuar masakrën në Sllovi të Lipjanit. Ai përkujtoi 45 martirët shqiptarë, të cilët u vranë dhe u masakruan 24 vjet më parë në krimin e gjenocidit të kryer nga ushtria dhe policia serbe.
“Viktima të kësaj ploje mizore qenë burra, gra, të rinj dhe pleq të paralizuar. Hasanin 18 vjeç e ekzekutuan në sy të babait, ndërsa nënë Halimen 84 vjeçare e dogjën të gjallë”, ka shkruar Konjufca.
“Shumicën e kufomave i zhdukën me dhunë dhe i fshehën në Serbi, disa u zbuluan vite më vonë në varrezën masive në Batajnicë të Beogradit. Ende mungon drejtësia për viktimat e këtij krimi të gjenocidit”, ka shtuar kryeparlamentari Konjufca.
Tutje, Konjufca theksoi se dëshmorët, martirët dhe lufta jonë çlirimtare do të mbeten përgjithmonë në kujtesën e lavdishme kombëtare.
“Janë vetë liria dhe pavarësia e Republikës së Kosovës. Lavdi e përjetshme!”, përfundon ai.