Policia e Kosovës njofton se në Jashanicë të Leposaviqit janë ndaluar dy kamionë me targa të Serbisë.
“Njësitë policore gjatë patrullimit kanë ndalur një kamion me targa të Serbisë duke shkuar në drejtim të Republikës së Serbisë të cilën e drejtonte i dyshuari mashkull kosovar”, njofton Policia e Kosovës.
Policia njofton tutje se në kamion kishte të ngarkuara pemë dhe perime në vlerë rreth katër mijë euro.
“Me vendim të prokurorit malli dhe mjeti dërgohen në terminalin doganor, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”.
Në rastin e dytë kamioni drejtohej nga i dyshuari mashkull boshnjak shtetas i Serbisë.
“I njëjti në kamion kishte të ngarkuara pemë dhe perime në vlerë rreth gjashtë mijë euro. Me vendim të prokurorit malli dhe mjeti dërgohen në terminalin doganor, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet mes të tjerash në njoftimin 24 orësh të Policisë së Kosovës.