Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen kundër COVID-19, ngase, sipas këtij dikasteri, pandemia nuk ka mbaruar ende.
Me anë të një postimi në Facebook, ministria ka theksuar se çdo vaksinë e dhënë nënkupton hospitalizime më të pakta.
“Pandemia COVID-19 nuk ka përfunduar ende. Çdo vaksinë e dhënë nënkupton më pak pacientë të shtrirë në spitale, më pak vdekje nga COVID-19 dhe, NE, më afër njëri-tjetrit. Vaksinohu edhe Ti! Për një Kosovë të shëndetshme dhe të mbrojtur nga COVID-19”, thuhet në apelin e ministrisë.
Ndërkaq, sipas të dhënave të fundit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë, numri i rasteve aktive me Coronavirus është 394.
Numri i përgjithshëm i të shëruarve është 224 mijë e 569, ndërkaq nga fillimi i pandemisë nga Coronavirusi kanë vdekur tre mijë e 138 persona.
Në 24 orët e fundit janë dhënë 36 doza të vaksinës kundër COVID-19.
Prej fillimit të vaksinimit, në të gjitha qytetet e Kosovës, janë dhënë një milion e 826 mijë e 287 doza të vaksinës.
Deri më sot 822 mijë e 059 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.
Deri më sot janë dhënë 101 mijë e 649 doza përforcuese dhe doza të treta të vaksinës kundër COVID-19.
Ndryshe, me propozim të Ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi, janë miratuar masat e reja kundër Covid-19.
Latifi ka thënë se situata epidemiologjike në vend është stabile dhe për këtë arsye kanë kërkuar që masat të lehtësohen.
“Ne jemi në situatë që të kërkojmë nga qeveria t’i lehtësojmë masat që kemi pasë për Covid-19, masat e propozuara dhe afatet kohore shërbejnë të mbahen nën kontrollë”, ka deklaruar Latifi.
Por, sipas ministrit të shëndetësisë, situata duhet të mbahet nën kontroll.
Ky propozim është votuar nga të gjithë ministrat e Qeverisë së Kosovës.
Në mbledhje Qeveria ka miratuar, gjithashtu, edhe kërkesën e ministrit Latifi, për plotësim-ndryshimin e udhëzimit administrativ për licencimin e profesionistëve të huaj shëndetësorë për nevoja të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK).
Me këtë vendim Latifi tha se mundësohet të ofrohet më shpejtë edhe licencimi i profesionistëve shëndetësorë që vijnë nga Lugina e Preshevës.