Gjithçka nga takimi i Kurtit me kancelarin gjerman

Gjatë takimit midis kryeministrit Albin Kurti dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz, janë diskutuar një sërë temash, si ajo e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, çështja e liberalizimit të vizave, siguria në rajon dhe Procesi i Berlinit

Kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, të mërkurën priti në takime të ndara, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Kancelari gjerman, fillimisht, ka takuar kryeministrin Kurti, takim ky që ka pasuar me mbajtjen e një konference për media. Më pas, Schloz ka vazhduar me takimin dhe konferencën me presidentin serb, Vuçiq, shkruan Telegrafi.

Në takimin me kreu e ekzekutivit të Kosovës, kancelari gjerman i kërkoi konstruktivitet në procesin e dialogut me Serbinë.

Para gazetarëve, kancelari gjerman Scholz tha se në kohën e sotme, kur po ndodh lufta në Ukrainë, është e rëndësishme që në Ballkanin Perëndimor të zgjidhen problemet. Ai vlerësoi faktin se Kosova u pozicionua shumë herët dhe me qartësi në partneritet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ka mbështetur sanksionet.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Ai tutje bëri të qartë se objektivi i dialogut është marrëveshja e gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Objektiv i dialogut është arritja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse. E inkurajova Kurtin për konstruktivitet në negociata. Marrëveshja do t’u sillte të mira qytetarëve të të dyja vendeve”, ka thënë kancelari gjerman.

Scholz në konferencën e përbashkët me Kurtin, njoftoi se shumë shpejt do ta vizitojë Prishtinën, ndërsa tha se në gjysmën e dytë të vitit do ta ftojë kreun e Qeverisë së Kosovës përsëri në Berlin për një takim tjetër.

I drejtpërdrejtë ishte edhe Kurti pas takimit me Scholz, duke u treguar i ashpër me BE-në për çështjen e mosliberalizimit të vizave.

Ai kërkoi nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, në Berlin, që Gjermania të shtyjë përpara procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Edhe dy muaj bëhen katër vite prej se Komisioni Evropian e ka rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën për herë të dytë. Është koha të thuhet se mjaft është mjaft. Kjo çështje duhet të vendoset në Këshillin e BE-së pasi Kosova i ka kryer detyrat e shtëpisë, dhe është radha që edhe BE të kryejë detyrat e saj”, ka thënë ai.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

E lidhur me çështjen e vizave, kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka thënë se do të angazhohet me këmbëngulje që liberalizimi i vizave për kosovarët të ndodhë sa më shpejt.

“Përparim i mëtejshëm duhet të bëhet në liberalizmin e vizave për Kosovën. Për këtë angazhohem në Bashkimin Evropian me këmbëngulje”, ka thënë kancelari gjerman.

Ndërkaq, udhëheqësi i Qeverisë së Kosovës ka thënë se Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe Partneritetin për paqe të NATO-s ku llogaritet në ndihmën e Gjermanisë.

Ai ka thënë se mbështesin Procesin e Berlinit, derisa Kosova refuzon iniciativa tjera paralele.

Ai ka thënë se iniciativat rajonale nuk mund të jenë zëvendësim për integrimet në BE, por duhet t’i përshpejtojnë ato.

“Ne e mbështesim Procesin e Berlinit dhe mirëpritem përkushtimin e Kancelarit për të rifilluar këtë proces me një dinamikë të re. Po ashtu, ne mbështesim tregun e përbashkët rajonal, i cili ndodhet brenda Procesit të Berlinit dhe rregullave të Bashkimit Evropian. Ai është gjithëpërfshirës, i ka katër liritë. Prandaj, edhe nuk mbështesim iniciativa të tjera paralele. Për Kosovën është e rëndësishme që në këtë proces qytetarët të jenë përfituesit më të mëdhenj”, ka thënë ai.

Kurti ka thënë se Kosova është proaktive në dialogun me Serbinë.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kreu i Qeverisë së Kosovës ka thënë se dialogu Kosovë-Serbi duhet të jetë i përqendruar në njohje reciproke ndërmjet dy vendeve.

“Dialogu duhet të jetë i bazuar në njohje reciproke. Njohje reciproke duhet të jetë në qendër e jo në fund të procesit”, ka deklaruar tutje Kurti.

Lidhur me këto çështje, është shprehur edhe kancelari Scholz, duke thënë se bashkëpunimi rajonal është i rëndësishëm, andaj ai ka thënë se në gjysmën e dytë do të ketë një ftesë për takim në kuadër të Procesit të Berlinit.

Ky njoftim, sipas Kurtit, është i mirëpritur për Kosovën.

Kancelari gjerman ka thënë, po ashtu, se do ta vizitojë Kosovën në kuadër të një turneu në shtetet e rajonit.

Kurti nga Gjermania godet “Ballkanin e Hapur”: Nuk mirëpresim iniciativa që hapin rajonin ndaj fuqive të Lindjes

Ndryshe, Kurti e ka falënderuar kancelarin gjerman, Olaf Scholz, për pritjen e ngrohtë që i ka bërë të mërkurën në Berlin.

Pas takimit me kancelarin e Gjermanisë, Kurti përmes një postimi në Twitter, ka thënë se ndjehet i inkurajuar nga mbështetja e fortë e kancelarit Scholz për liberalizimin e vizave, anëtarësimin në Këshillin e Evropës, Partneritetin për Paqe të NATO-s dhe ridinamizmin e Procesit të Berlinit.

Ndryshe, në Berlin gjatë të mërkurës ishte edhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Ai në një darkë joformale të mërkurën mbrëma priti kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Pas këtij takimi, kryeministri Kurti, në një postim në rrjetin social Twitter, ka thënë se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj dialogut parimor me Serbinë për një marrëveshje të përqendruar në njohjen reciproke.

“Agresioni i fundit rus në Ukrainë shtoi mosmarrëveshjet tona. Por, ne mbetemi të përkushtuar ndaj dialogut parimor me Serbinë për një marrëveshje të përqendruar në njohjen reciproke. Raundi i sonte u zhvillua në Pallatin Borsig në Berlin gjatë një darke pune”, ka shkruar Kurti.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika