Detaje të rënda janë vënë në pah gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë ndaj të dyshuarit kryesor për vrasjen e nënës së tij mbrëmjen e së premtes në Pejë.
Dosja hetimore të cilën e ka siguruar edhe KALLXO.com, tregon se i dyshuari kryesor për vrasjen e nënës së tij në Pejë, në seancën para gjyqtarit të procedurës paraprake për caktimin e masës së sigurisë, nuk kishte qenë në gjendje as t’i japë të dhënat e tij personale ashtu siç parashihet edhe në procedura.
Në këtë seancë i pranishëm ka qenë edhe eksperti psikiatrik, Nysret Pepaj.
Gjithmonë, sipas dosjes, Urim Hyseni dyshohet se pasi kishte kryer aktin makabër, duke vrarë nënën e tij me thikë, i njëjti më pas ka sulmuar babain dhe hallën e tij.
Këta të dy në dosje përmenden si dëshmitarë okularë.
Kjo rrethanë dhe të tjera u përdorën si pika kyçe për t’i caktuar të njëjtit paraburgimin prej 1 muaji.
Gjithashtu, i dyshuari, sipas dosjes, ishte duke jetuar në Gjermani para se të vinte në Kosovë, atje edhe punonte, ndërsa kishte nxjerrë biletë kthimi për datën 19 prill.
Edhe kjo situatë u përdor për të vërtetuar se masa e paraburgimit duhet të jepet për shkak se ekzistonte rreziku i arratisjes së të dyshuarit, raporton KALLXO.com.