Drejtori i së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, është lejuar të hyjë në Kosovë për të marrë pjesë në liturgji të festës së Pashkëve ortodokse.
Përmes një postimi në Twitter, Petkoviq ka vazhduar sulmet ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, teksa ka shpërndarë urimin që ka bërë Kurti për Pashkët ortodokse.
Kreu i Qeverisë së Kosovës kishte thënë se Kurti do të vazhdojë të kujdeset për besimtarët ortodoksë, duke u garantuar liritë themelore të besimit dhe sigurinë e përgjithshme.
“Vetëm ti Albin Kurti mos u shqetëso për serbët. Kur ti ‘kujdesesh’ kemi dyfish më tepër sulme etnike, katër serbë, përfshirë fëmijë, u qëlluan, kishat tona dhe varret u përdhosën dhe serbët arrestohen pa prova. Serbët e kanë presidentin e tyre, Vuçiqin, i cili kujdeset për ta dhe i ndihmon!”, ka shkruar Petkoviq në Twitter.
Само ти @albinkurti немој да бринеш о Србима. Kада ти “бринеш” имамо дупло више етничких напада, четири Србина, међу којима и деца, су упуцана, наше цркве и гробови се скрнаве, а Срби се хапсе без доказа. Имају Срби свог председника Вучића који о њима брине и помаже их! https://t.co/UXdIe6t9In
— Петар Петковић (@PetkovicPetar) April 16, 2023
Për lejimin e hyrjes së Petkoviqit në Kosovë, ka reaguar ish-ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj.
Ajo ka thënë se Petkoviq vazhdon të sulmojë me shpejtësi institucionet e Kosovës, të përhapë urrejtje etnike dhe të minojë përpjekjet për t’u integruar serbët e Kosovës.
“Ministria e Jashtme e Kosovës nuk është dashur t’ia lejojë këtij njeriu hyrjen në Republikën e Kosovës. Duke vepruar në një kapacitet zyrtar, ai vazhdon të sulmojë me shpejtësi institucionet e Kosovës, të përhapë urrejtje etnike dhe të minojë përpjekjet për t’u integruar serbët e Kosovës. E të gjitha këto i bën derisa është në tokën e Kosovë!” ka shkruar Haradinaj në Twitter.