Të dielën e 16 prillit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, takoi katër kandidatët e LVV-së që me numrin 115 po garojnë në zgjedhjet që do të mbahen në katër komunat në veri.
Kurti si kryeministër ndau besimin e tij që ky proces zgjedhor do të kalojë ashtu siç duhet dhe i ka hije një procesi demokratik, qetë e pa incidente, me pjesëmarrje të lirë e të lartë të qytetarëve në komunat veriore.
“Kurti takoi Erden Atiqin, kandidatin më të votuar shqiptar në zgjedhjet e fundit lokale atje, që sërish kandidon për veriun e Mitrovicës. Flatron Hasanin që kandidon për Zubin Potok. Fetah Pecin që kandidon për Zveçan dhe, Lulzim Hetemin që kandidon për Leposaviq. Numri 115 është numri i fitores tonë, numri i kandidatëve tanë që do të udhëheqin në katër komunat veriore të vendit tonë”, thuhet në njoftimin e LVV-së.
Duke u dëshiruar fushatë zgjedhore të mbarë dhe të suksesshme, si kryetar i Lëvizjes, ai i siguroi katër kandidatët e subjektit për mbështetje të fuqishme për këto zgjedhje që do të mbahen të dielën e ardhshme më 23 prill.
Në këtë takim, Kurti ishte i shoqëruar nga ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, sekretari i përgjithshëm i LVV, Alim Rama, kryetari i LVV në Mitrovicë, deputeti Armend Muja, dhe anëtarë të shtabit zgjedhor të LVV në Mitrovicë.