Gazetari Valon Syla është shprehur i shqetësuar se si ende nuk është kontaktuar zyrtarisht nga prokuroria mbi procesin rreth rastit të tij, ku u sulmua nga tre persona të dyshuar.
Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Syla ka thënë se Prokuroria nuk i ka dhënë asnjë dokument rreth rastit të tij. Madje ai thotë se ende zyrtarisht nuk e di se kush është prokuror i rastit.
“Nuk i di saktësisht këto procedurat penale por diçka po me habit shume ne rastin e sulmit tim. Prokuroria/prokurori, as ai kujdestar e as ai qe është caktuar me vone, nuk me kane kontaktuar ende zyrtarisht”, shkroi ai.
Syla ka theksuar se nuk është njoftuar as për mbajtjen e seancës për caktimin e paraburgimit të personave të dyshuar.
“Prokuroria/gjykata, trupi gjykues i procedurës paraprake, nuk më kanë njoftu që është mbajtë seancë për caktimin e paraburgimit te personave te dyshuar. Nga mediat jam informu dhe kisha pas qejf me qenë prezent unë ose avokati im. Ende nuk jam njoftu zyrtarisht për caktimin e paraburgimit, pra nuk e kam aktvendimin”.
Megjithatë, ai thotë se beson në drejtësi.
“Unë besoj në drejtësi, por nuk po më doket n’rregull kështu. Njëjtë ma kane bo edhe ne rastin e parë, kur sulmuesi u dënua vetëm 4000 euro dhe pak ditë paraburgim”, shtoi ai.