Pas nderimit të viktimave të masakrës së Poklekut, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, të hënën më 17 prill, kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Çikatovë të Vjetër.
Të tre fillimisht ishin në fshatin Poklek, ku bënë homazhe e vizituan shtëpinë e familjes Muçolli që humbi mbi 50 anëtarë.
Nga aty, ata kanë kërkuar zbardhjen e krimeve e dënim të urdhëruesve së masakrës, duke pohuar se është dëshmuar se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë.
Pas homazheve, Osmani ka deklaruar se emrat urdhërues të masakrës në fshatin Poklek njihen edhe me mbiemra, dhe se për ta janë mbledhur prova, por sipas saj, regjimi aktual në Serbi nuk po vendos për drejtësi, pasi ata po shpërblehen edhe me poste të larta në polici.
“Masakrat dëshmojnë egërsinë e këtij regjimi, dhe njëkohësisht janë edhe dëshmi të dhimbshme se si akoma nuk ka drejtësi për të gjitha këto viktimat e popullit tonë. Personat që e kanë urdhëruar masakrën në Poklek dihen me emër dhe mbiemër, për ta janë mbledhur prova, por për fat të keq regjimi i sotëm në Serbi nuk vendos drejtësi dhe ata që urdhëruan këto masakra, po shpërblen edhe me pozicione edhe më të larta në Policinë e Serbisë”, është shprehur ajo, raporton Dukagjini.
Në Poklek të Vjetër të Drenasit, më 17 prill të vitit 1999, janë vrarë dhe djegur 53 civilë shqiptarë të paarmatosur, duke filluar nga foshnje gjashtëmuajshe e deri në persona të moshës 75-vjeçare.
Të vrarët dhe të djegurit ishin të familjes Muqolli, Elshani, Caraku dhe Hoxha.
Eshtrat e tyre tani prehen në një varrezë të përbashkët në kompleksin përkujtimor në Poklek.
Kanë kaluar 24 vjet që nga përfundimi i luftës në Kosovë, por ende nuk është vënë drejtësia nga institucionet përgjegjëse për personat e vrarë e të zhdukur nga regjimi serb.