Në seancën e së hënës ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ka filluar dhënien e dëshmisë dëshmitari i dytë i Dhomave të Specializuara të Kosovës, i cili tha se ka qenë dhe vazhdon të jetë anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), seancë kjo e përcjellë me seanca private dhe pjesë të redaktuara.
I pyetur nga ZPS para se të kalojë në seancë private, dëshmitari tha se është bërë anëtar në LDK, pasi e njëjta, sipas tij, kishte pasur një program për shtet dhe për pavarësinë e Kosovës, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.
“Anëtar i LDK-së jam bërë pasi LDK ka pasur një program për shtet dhe për pavarësinë e Kosovës nga Serbia”, tha ai.
Paraprakisht, ai sqaroi se kush ka udhëhequr selitë e LDK-së, si dhe për strukturën e LDK-së në qytetin e Malishevës.
Ai ka shtuar se në vitet e 90-ta, LDK kishte qenë një parti e njohur dhe ka folur për rezultatin e LDK-së në zgjedhjet e vitit 1992.
Ndryshe, sot ka nisur dëgjimi i dëshmitarit të dytë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), në çështjen ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ish-presidentit Hashim Thaçit, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi.
Me të nisur dëshmia e dëshmitarit të dytë, seanca është mbyllura për publikun./BetimipërDrejtësi/.