Serbë të revoltuar me faktin që Republika e Kosovës po organizon zgjedhje lokale me ligjet e saj në veri të vendit, synojnë dhunshëm ndërprerjen e tyre.
Brohoritjet janë paralajmërim i asaj që do të ndodhë më pas.
Qëllimin e arrijnë gjatë pasdites së 3 nëntorit 2013, kur persona të maskuar shkatërrojnë kutitë e votimit në Mitrovicë të Veriut, duke pamundësuar zhvillimin e tyre normal.
Incidenti që ndodhi pak javë pasi Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje në Bruksel, i shtyu zgjedhjet për dy javë.
Megjithatë, përkundër klimës së tensionuar, zgjedhjet u mbajtën më vonë, pa ndonjë incident të madh.
Asokohe, në Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq dhe Mitrovicë të Veriut, bindshëm fitoi Lista Serbe.
Misioni vëzhgues i Bashkimit Evropian, që atëherë tërhoqi vërejtjen se Lista Serbe ka monopolizuar jetën politike të serbëve të Kosovës.
Në zgjedhjet e para, Florent Azemi ishte kandidat për kryetar të Mitrovicës së Veriut.
Ai vlerëson se gjithë këto vite, shumë gjëra shkuan keq.
“Përgjatë gjithë këtyre viteve nuk ka pasur një plan apo një strategji të veçantë për ta shtrirë sovranitetin në veri. Realisht, mjerisht mund të them që shpresojmë të ketë, por nuk ka as sot. Është e lehtë kjo me u analizu, nuk kemi plan për integrim të veriut”, thotë Florent Azemi nga PDK.
Organizimi i zgjedhjeve në veri vendit, Kosovën e ka vendosur përsëri para një situate të vështirë.
Bojkotimi i tyre nga Lista Serbe dhe ambienti jo i sigurt, ka bërë që KQZ-ja zgjedhjet e 23 prillit t’i organizojë larg vendvotimeve të zakonshme.
Analisti politik Nexhmedin Spahiu, vlerëson se Presidentja Vjosa Osmani, duhet të ndryshoj qëndrim.
“Më mirë është mos me i mbajtë, sesa me i mbajtë me patjetër. Zgjedhjet të cilat nuk do të mund të prodhojnë legjitimitet, nuk kemi pse harxhojmë para badihava. Ajo çfarë unë do t’i sugjeroja Qeverisë së Kosovës është që me e amandamentu ligjin për vetëqeverisje lokale dhe me emërua administrator të përkohshëm për këto katër komuna”, thotë analisti Nexhmedin Spahiu.
Vlerësim se zgjedhjet në këtë kohë e klimë të tensionuar vështirë se do të mund të mbahen, ka edhe Azemi.
“Ne nuk mund ta kemi një qëndrim, sikurse me e pas një President të shtetit që i ka kokat bërthamore prapa, që i rrinë prapa. Ne jemi projekt ndërkombëtar, ne e dimë se çfarë fuqie kemi, edhe ne edhe Serbia. Problem është që të mbahen zgjedhjet nëse nuk shprehet vullneti qytetar”, shtoi Florent Azemi.
Institucionet e Kosovës në veri të vendit u boshatisën nga serbët më 5 nëntor.