Ministri për Punë të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se ai nuk synon të shkojë në Strasburg të martën, në përvjetorin e 20-të të pranimit të Serbisë në Këshillin e Evropës, nëse Kosova do të pranohet në atë institucion një ditë më vonë.
Ai ka thënë në një konferencë për media, pas takimit me ministren e Jashtme të Gabonit, Yolanda Nijonde, se në 10-vjetorin e arritjes së Marrëveshjes së Brukselit – mes Kosovës dhe Serbisë – është bërë e ditur që Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës, do të nisë procedurat për pranimin e Kosovës në atë institucion, shkruan REL.
“Kosova nuk i ka përmbushur obligimet e veta, që i parasheh Marrëveshja e Bruselit që 10 vjet, dhe për këtë gjë, ajo duhet të shpërblehet dhe të nisë procedura për pranimin e saj në Këshillin e Evropës. Ky është mesazh që Kosova mund të bëjë çfarë të dojë”, ka thënë Daçiq.
Shefi i diplomacisë së Serbisë, ka thënë se Këshilli i Evropës nuk e ka pranuar kurrë një entitet që nuk është shtet, dhe se nuk mund të diskutohet për mbrojtjen e integritetit të Ukrainës, pa e diskutuar integritetin e Serbisë.
“A është qetësuar situata në Kosovë? A kemi përparim në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe? Nuk kam asnjë shtysë që të shkoj në Strasburg, dhe në ditën pasuese ata të nisin procedurën për pranim të Kosovës në Këshillin e Evropës”, ka thënë Daçiq.
Kosova e ka dorëzuar aplikacionin për anëtarësim në Këshillin e Evropës, në maj të vitit 2022.
Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës.
Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.
Për ta shqyrtuar kërkesën e Kosovës, duhet të ekzistojë pajtueshmëri mes dy të tretave të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës.
Hapi i parë është që një prej vendeve anëtare të bëjë kërkesë që anëtarësimi i Kosovës të futet në agjendë dhe të votohet nga Komiteti i Ministrave.
Pas sigurimit të një shumice prej dy të tretave në atë trup, kërkesa shkon në Asamblenë Parlamentare.
Nëse edhe aty sigurohet shumica prej dy të tretave, kërkesa kthehet te Komiteti i Ministrave për miratim final.
Në një seancë të organizuar në janar të këtij viti, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Kroacia, e kanë mbështetur anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, derisa Serbia u ka bërë thirrje vendeve anëtare që ta refuzojnë kërkesën e Kosovës.
Serbia e kundërshton anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe organizata tjera ndërkombëtare, dhe bën fushata te shtetet tjera për tërheqjen e njohjes së shtetësisë së Kosovës.
Në këtë temë, Serbia e ka alete Rusinë, e cila është përjashtuar nga Këshilli i Evropës, për shkak të luftës së nisur në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.
Pa Rusinë, dy të tretat e vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, e njohin pavarësinë e Kosovës.
Nëse merret parasysh që vendimet merren me shumicë votash, mundësia e Kosovës për anëtarësim është reale.