Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka deklaruar se zgjedhjet në veri të Kosovës nuk do të mbahen në stacionet e policisë.
I ftuar në emisionin “Debat Plus”, në RTV Dukagjini, Muja ka listuar disa nga pikat e votimit.
“I kam 18 pika të votimit të cilat edhe sot i vizitova. Nuk mbahen në stacionet e policisë. Nuk ka zgjedhje në stacion të policisë”, tha ai.
“Në Leposaviq, në Serbovc, Soqanicë, këto janë vendbanimet më të mëdha, në Zveçan në një kontejner, po ashtu do të ketë 3 qendra të votimit të 3 vendbanimet të mëdha ku ka votues në komunën e Sveçanit”.
Pos këtyre vendvotimeve, Muja ka thënë se në Mitrovicën veriore, zgjedhjet do të mbahen në Lagjen e Boshnjakëve, në Lagjen 7 shtatori, në Kodrën e Minatorëve.
“Në shkollë, një vendvotim që ka qenë Shën Sava, për shkak të kushteve inekzistene nuk ka mundur të përdoret shkolla, megjithatë janë 2 shkolla dhe 1 qendër mobile kontejner që do të mbahen zgjedhjet”, tha ai.
Zgjedhjet në katër komunat veriore u shpallën pas dorëheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar.
Fillimisht ishin parashikuar që të mbahen më 18 dhjetor të vitit të kaluar, por u shtynë me vendim të presidentes Vjosa Osmani për 23 prill edhe për shkak të situatës së tensionuar dhe barrikadave që i ngritën nga grupe të dyshuara kriminale.