Këtë të martë, në Komisionin për Buxhet, do të shqyrtohet projektligji për ndryshimin/plotësimin e Ligjit të Tatimit në Pronë.
Sipas, ish-kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, “Ky projektligj do t’i bëjë lëmsh komunat”.
Hoti theksoi se projektligji në fjalë “do të ketë ndikim negativ në të hyrat vetanake të komunave”.
“Do t’i trefishoj normat e tatimit në pronë për prona me vlera të mëdha. Do të vendosë tatimin në parcelat e punuar që me ligjin paraprak ishin të liruara për të nxitur punimin e tokës”, ka thënë ai.
Ai u shpreh se këto ndryshime në ligj janë duke u bërë pa asnjë konsultim me bizneset dhe komunat e Kosovës.
“Kjo qasje është tepër e keqe. Një ndryshim kaq i madh po bëhet pa asnjë konsultim me komunat dhe bizneset, të cilat do të ndikohen negativisht jashtëzakonisht shumë. Kjo qasje ad-hoc tregon mungesën e seriozitetit dhe profesionalizmit në qeverisje. Dëm i madh për ekonominë”, ka thënë ai.
Ndër të tjera, Hoti tha se “këta qeveritarë sikur me qenë të interesuar të shkatërrojnë çdo gjë, e jo të ndërtojnë mbi atë që është ndërtuar deri më tani dhe të përmirësojnë lëshimet e të kaluarës”.