Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi, ka bërë të ditur se të mërkurën e 19 prillit do të udhëtojë drejt Strasburgut për të marrë pjesë në nënshkrimin zyrtar të vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza nga 1 janari 2024. Votimi i fundit, final mbi liberalizimin e vizave, kaloi pozitivisht nga Parlamenti Evropian. Ditën e nesërme, do të udhëtoj drejt Strasburgut për të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit zyrtar të këtij vendimi”, ka thënë Bislimi.
Bislimi ka thënë, ndër të tjera, se pritjet e gjata e të shumta mbaruan, ndërsa tashmë lëvizja e lirë do të jetë realitet.
Ndryshe, Parlamenti Evropian (PE) miratoi të martën vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës – me çka edhe procedurat për këtë çështje i afrohen fundit.
Këtë e ka bërë të ditur drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha.
“Fundi i një epoke. Parlamenti Evropian miratoj përfundimisht liberalizimin e vizave për Kosovën”, ka shkruar Shasha në Facebook.
Miratimi u bë pa votim, pasi nuk kishte asnjë kundërshtim.