Analisti Ylli Hoxha ka thënë se debatet për fenë dhe kombin nuk duhet të zhvillohen nga mendjet ekstreme dhe nga “mendjet e paditura, të palexuara”.
“Një ideologji që përcillet nga të paditurit lehtë shndërrohet në dovë dhe ekstremizohet. Njerëzit e ditur e kanë shumë më të vështirë që të margjinalizojnë, të krijojnë asilloj retorike, e cila e qet tjetrin në ekstrem”, ka thënë Hoxha.
Hoxha është shprehur falënderues për gjenerata të tëra që kanë arritur të mbajnë një kohezion ndërfetar brenda popullit shqiptar.
“Është shumë e vështirë me e mbajt një komb me tri fe unik dhe këtë e ka arritur populli jonë…Ka pasur gabime shumë, por ka qenë një periudhë e komunizmit, e cila ka bërë dëm të jashtëzakonshëm, por megjithatë është kapërcyer. Edhe ajo formë e komunizmit që ka qenë në Kosovë, nuk ka qenë e vështirë sa ka qenë në Shqipëri…Apeli im është që vërtet ky dialog nëse ka përshtypje që ka diskriminim të tillë, është mirë të zhvillohet në një mjedis shumë më të ngritur të përfaqësuesve të Bashkësisë Islame dhe forcave politike në Kosovë. Në asnjë mënyrë të shndërrohet në një terren ku ekstremistët e marrin fronin dhe e udhëheqin vallen, kjo është tejet e rrezikshme”, ka thënë analisti Ylli Hoxha në “Debat Plus“.