Parlamenti Evropian (PE) miratoi të martën vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës – me çka edhe procedurat për këtë çështje i afrohen fundit.
Miratimi u bë pa votim, pasi nuk kishte asnjë kundërshtim.
“Nuk kam marrë asnjë propozim për të refuzuar qëndrimin e Këshillit [të ministrave të BE-së] dhe asnjë amendament. Prandaj, qëndrimi i Këshillit është miratuar dhe akti i propozuar është miratuar”, tha kryetarja e PE-së, Roberta Metsola.
Ndërkaq, të mërkurën e 19 prillit, do të mbahet ceremonia e nënshkrimit zyrtar të vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën, e cila pritet të fillojë në orën 14:45.
Në ceremoni do të marrin pjesë edhe presidentja e Parlamentit Evropian, një përfaqësues i presidencës suedeze të Këshillit të Bashkimit Evropian.
Ndërkaq, Qeveria e Kosovës në një njoftim për media bën të ditur se zëvendëskryeministri Besnik Bislimi udhëton për në Strasburg, për të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit zyrtar të vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Ai do të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit zyrtar të vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën në Parlamentin Evropian, e organizuar nga Presidentja e Parlamentit Roberta Metsola. Ceremonia do të fillojë në orën 14:45”, thuhet në njoftim.
Pas ceremonisë së nënshkrimit, zëvendëskryeministri Bislimi do të mbajë një konferencë për media në Parlamentin Evropian së bashku me eurodeputetin dhe raportuesin për Kosovën për çështjen e vizave Thijs Reuten, me fillim nga ora 15:15.
Sipas këtij vendimi, qytetarët e Republikës së Kosovës do të mund të lëvizin pa viza në zonën Schengen dhe atë jo më vonë se data 1 janar 2024.
Rregullat e reja mbi heqjen e regjimit të vizave për Kosovën do t’i lejojnë qytetarët të udhëtojnë në BE pa viza për një periudhë qëndrimi prej 90 ditësh në çdo periudhë 180- ditore.
Kosova i kishte plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave me kohë, por deri më tani mungonte konsensusi në mesin e vendeve anëtare për avancimin e procesit.
“Falë punës së Qeverisë sidomos në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit e menaxhimit të migrimit u arrit zhbllokimi i procesit dhe bindja e institucioneve të BE-së dhe vendeve anëtare se Kosova meriton përfundimin e procesit të liberalizimit të vizave dhe se vendi ka bërë progres e arritje të rëndësishme në fushat relevante”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.
Kosova, aktualisht, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen.
Kjo, me gjithë faktin se Komisioni Evropian, qysh në vitin 2018, ka konfirmuar disa herë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por kanë qenë disa vende anëtare që vazhdimisht kanë shprehur rezerva.