Gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit në Gjykatën Speciale në Hagë do të vazhdojë edhe të mërkurën.
Kjo seancë do të fillojë nga ora 09:00.
Zyra e Prokurorisë Speciale do të vazhdojë procesin e paraqitjes së provave, përkatësisht dëgjimin e dëshmitarëve në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve.
Në fazën e provave në këtë gjykim, personi i parë që ka nisur dëshminë të martën është një grua.
Në seancën e së martës, Prokuroria kërkoi që të pranohen si prova- materiale shtesë.
Por, ky propozim u kundërshtua nga mbrojtësi i Selimit, avokati Geoffrey Roberts, i cili tha se është e çuditshme që secili dëshmitar që sjell material të ri, të pranohen si informata shtesë.
Duke pasur një kundërshtim të tillë, prokurori Matt Halling kërkoi të kalohet në seancë private për parashtrimin e pyetjeve për dëshmitaren.
Ndryshe, javën e kaluar janë mbajtur seancat, ku kanë folur prokuroria, mbrojtja dhe të akuzuarit.
Aktakuza e parë kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020.
Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore.
Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.
Në aktakuzë pretendohet se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi kanë përgjegjësi penale individuale për krime që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin se ishin kundër UÇK-së.