Për shkak të mungesës së kuorumit, seanca e Kuvendit të Kosovës është shtyrë për në orën 12:30.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se koalicioni qeverisës nuk po mund t’i mbledhë deputetët e tyre.
“Për shkak se situata është kështu, shumica e pikave janë votime, debati është shterur në seancat e kaluara, për secilën e kam qëndrimin e partive tjera, për shumicën nuk do të votoni. Varet prej kuorumit të mazhorancës, sepse nuk po mund t’i mbledhë deputetët. Shihemi në 12:30 kur po më premtojnë se do t’i mbledhin”, tha ai.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca i ka kritikuar deputetët të cilët kanë munguar në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.
Ai i quajti të papërgjegjshëm deputetët që mungojnë në këtë seancë.
“Qysh po e shoh këtë sjellje të papërgjegjshme të disa deputetëve, unë nuk po mendoj që kjo legjislaturë e meriton me vazhdu”, tha ai.