Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka thënë se subjekti politik në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, ka dështuar të sigurojë shumicën e nevojshme në Kuvend, gjë të cilën e cilëson si një papërgjegjësi të tyren.
Me anë të një postimi në Facebook, Çitaku ka reaguar pasi seanca e Kuvendit të Kosovës është shtyrë për në orën 12:30 si shkak i mungesës së kuorumit.
“Një parti që ka fituar mbi 50% të votave dështon në mënyrë të vazhdueshme të sigurojë shumicën e nevojshme në Kuvend. Papërgjegjësi e skajshme. Puna e parë dhe kryesore e deputetëve është miratimi dhe inicimi i nismave ligjore. Jo hajt pak. Jo deklarimet jashtë rendit të ditës. Jo show. Është vend pune. Është kontratë me qytetarin”, ka shkruar Çitaku.
Ishte paraparë që Kuvendi i Kosovës të vazhdojë seancën plenare këtë të mërkurë (19 prill) me pikat e papërfunduara gjatë muajve shkurt dhe mars.
Ndonëse seanca ishte paraparë të fillojë në orën 10:00, ajo u shty për në orën 12:30 si shkak i mungesës së kuorumit. Pas kësaj, kryeparlamentari Glauk Konjufca u shpreh se legjislatura aktuale nuk e meriton të vazhdojë si shkak i sjelljeve të papërgjegjshme të deputetëve.