Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, (LDK), Doarsa Kica – Xhelili, ka thënë se pretendimi i koalicionit qeverisës, se nuk ka kuorum për vazhdimin e seancës së Kuvendit, nuk është i vërtetë.
Ajo tha se në sallë ishin rreth 90 deputetë, por sipas saj pozita po kalkulon sa deputetë i kanë në sallë, pa i llogaritur ata të opozitës.
“Një sqarim për kuorumin sot në Kuvend. Kuorum për të filluar seanca kishte. Në sallë ishim rreth 90 deputetë. Rregullorja e Kuvendit kërkon që seanca të filloj kur ka kuorum – pra kur janë 61. POR, shumica po kalkulon sa deputetë i kanë ata në sallë, PA opozitën. Pra, ne kot shkojmë aty. Rëndësi ka vetëm 50%-shi i parë (që nuk po arrijnë ta sigurojnë), jo dhe i dyti, dhe e gjithë kjo në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit”, ka thënë ajo.
Seanca e Kuvendit të Kosovës u shty për shkak se pozita deklaroi se nuk kishte kuorum për të vazhduar.
Kryeparlamentari, Glauk Konjufca, e kritikoi mungesën e deputetëve, duke thënë se janë të papërgjegjshëm dhe se “kjo legjislaturë nuk duhet të vazhdojë”.