Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se do të kërkojë caktimin e paraburgimit për të dyshuarin në rastin e dhunimit të një gruaje në Prishtinë.
“Lidhur me këtë rast ju njoftojmë se prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalim për të dyshuarin, për shkak të veprës penale “Dhunimi, sipas KPRK-së dhe brenda afatit ligjor do të ushtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të njëjtit, pranë Gjykatës kompetente”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për RTV Dukagjini.
Ndër të tjera, thuhet se prokuroria është në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës dhe institucionet relevante janë duke ndërmarrë veprime hetimore për ta sqaruar plotësisht këtë rast.
Ndryshe, në raportin 24-orësh të Policisë u bë e ditur se një person është arrestuar nën dyshimin se dhunoi një grua në komunën e Prishtinës.
Sipas policisë, një grua kishte raportuar se pasi ka shkuar te shtëpia e të dyshuarit për ta marrë me qira, është dhunuar nga pronari.
Shkoi ta marrë me qira një shtëpi, gruaja dyshohet se u dhunua nga pronari