Dyshimet për keqpërdorime me tenderë, i sollën të mërkurën hetues të policisë në zyrat e Korporatës Energjetike të Kosovës.
Cak ishte bastisja e vendit të punës së drejtorit Nagip Krasniqi.
I gjithë aksioni u krye me urdhër të Prokurorisë Speciale, të cilët gjatë pasdites njoftuan për arrestimin e Krasniqit.
“Policia e Kosovës, ka arrestuar një person me inicialet N.K. për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, ‘’Ushtrimi i ndikimit’’ dhe veprën penale ‘’Konflikti i interesit’”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
Përveç zyrave të KEK-ut, Prokuroria njoftoi se bastisje u kryen edhe në dy banesa të Krasniqit në Prishtinë.
E në gjithë këtë aksion, u sekuestruan dokumente të ndryshme të cilat ndërlidhen me rastin, si dhe tre kompjuter, një llap-top, një celular dhe një USB.
Televizioni Dukagjini mëson se Krasniqi po dyshohet për përfshirje në keqpërdorime të mundshme në dy tenderë.
Njëri prej tyre ka të bëjë me një kontratë për renovimin e kaldajave në bllokun A5 të Termocentralit “Kosova A”.
Kjo kontratë ka vlerë 3 milionë e 490 mijë euro dhe u nënshkrua në fillim të këtij viti.
E i gjithë aksioni, që nga nisja e bastisjes në zyrat e KEK-ut, e deri tek arrestimi i Krasniqit, është përcjell me disa situata.
Përgjatë bastisjes, Krasniqi është ankuar se nuk është mirë me shëndet. Kështu ai është dërguar për kontroll në QKUK.
Mirëpo, drejtori i Emergjencës, Naser Syla, ka konfirmuar për Televizionin Dukagjini, se Krasniqi refuzoi të kontrollohet, duke u kthyer prapa me policët.
Nagip Krasniqi që prej emërimit si kryeshef i KEK-ut, është cilësuar si njeri i afërt me partinë në pushtet, Vetëvendosjen.