Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka deklaruar se ndodhitë e ditës së mërkurës në Korporatën Energjetike të Kosovës, janë dëshmia më e mirë se lidhjet e shkurtra janë korrupsioni më i keq.
“Kjo çfarë po ndodh në KEK, është dëshmia më e mirë se lidhjet e shkurtra janë korrupsioni më i keq”, ka shkruar Haradinaj.
Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Policia e Kosovës ka arrestuar drejtorin e KEK-ut, Nagip Krasniqi, nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrimi i ndikimit” dhe veprën penale “Konflikti i interesit”.
Policia e Kosovës ka kryer bastisje në zyrat qendrore të KEK-ut në Prishtinë, të mërkurën, dhe në dy banesa në pronësi të Nagip Krasniqit, ku sipas njoftimit nga Prokuroria, janë sekuestruar dokumente dhe pajisje elektronike si kompjuterë, celularë dhe një USB.
Me aktvendim të prokurorit të shtetit, i pandehuri me inicialet N.K., është dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh.