Shëngjini është tronditur pasditen e 19 prillit, pasi të shtënat me armë zjarri i kanë marrë jetën një shtetasi shqiptar.
Bëhet fjalë për Ardian Nikulajn, një biznesmen i njohur në zonën e Lezhës, dhe vite më parë kandidat për deputet.
Nga foto e publikuar në rrjet, në momentin që është qëlluar, ai ishte i ulur dhe drejt tij shihet një person që futet në lokal duke ia drejtuar pistoletën e duke qëlluar në drejtim të Nikulajt.
Pamjet e publikuara në media tregojnë momentin kur autori i krimit i ka drejtuar pistoletën Nikulajt, i cili qëndron i ulur në një nga tavolinat e lokalit.
Ai e ka qëlluar 7 herë me pistoletë në kokë e në pjesë të tjera të trupit dhe është larguar me motor, teksa ende ndodhet në arrati, raporton TCH.
Sipas skemës së ndërtuar të ngjarjes, ai ka hyrë nga një derë anësore e lokalit dhe pasi ka kryer krimin, është larguar nga një derë e dytë e restorantit, po me mjetin motoçikletë me të cilën kishte mbërritur.
Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë që mund të çojnë në kapjen e autorëve, si dhe ka ngritur kontrolle në gjithë zonën.
Nikulaj ka në pronësi disa hotele në zonën e Shëngjinit dhe Ranës së Hedhun.
Ai garoi si kandidat për deputet nën siglën e PSD-ës në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, ku mori 97 vota dhe në formularin e dekriminalizimit që ka dërguar në KQZ asokohe, ka pohuar se është dënuar me 4 muaj më 24 nëntor të vitit 2003 dhe më 1 dhjetor 2006 për armëmbajtje pa leje.
Nikulaj është rreth 50 vjeç dhe në këto zgjedhje ishte renditur i 23-ti në listën e PSD-së për Këshillin Bashkiak të bashkisë Lezhë.
Policia po punon për zbardhjen e dinamikës së kësaj vrasjeje, nëse ka të bëjë me një atentat, apo nëse ka të bëjë me një vrasje për “motive politike”.
Autoritetet nuk kanë përjashtuar as mundësinë e vrasjes për hakmarrje, duke bërë kontrolle në familje, të cilat mund të kenë pasur konflikte të mëparshme me Nikulajn.
Viktima rezulton i arrestuar më herët për armëmbajtje pa leje dhe kontrabandë e falsifikim.
Konkretisht në vitin 2003, ai është dënuar me katër muaj burgim për armëmbajtje pa leje, kurse në vitin 2006 ka marrë gjobë për kontrabandë dhe falsifikim dokumentesh.
Qarku i Lezhës ka precedentë në krime që prekin personazhe të përfshira në procesin zgjedhor. Qershorin e vitit 2013, si pasojë e të shtënave nga armët e zjarrit, mbeti i vdekur në vend 49-vjeçari Gjon Gjoni, i cilësuar si simpatizant i LSI.
Në këtë breshëri armësh mbetën të plagosur edhe dy persona të tjerë, kandidati i PD-së, Mhill Fufi, njëkohësisht edhe nënkryetar i qarkut, si dhe i afërmi i tij, Kastriot Fufi.