Myftiu i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Naim Tërnava, ka uruar besimtarët myslimanë në prag të festës së Fitër Bajramit.
Fitër Bajrami është një nga festat kryesore të besimtarëve myslimanë dhe do të festohet të premten, më 21 prill.
Myftiu Tërnava në urimin e tij ka thënë se Fitër Bajrami është festa më popullore që prek të gjitha shtresat dhe kategoritë e shoqërisë dhe që shënon përfundimin e Muajit të Ramazanit.
“Fitër Bajrami na vjen pas një muaji të mëshirës e sakrificë. Pas muajit të faljeve dhe begative të veçanta që i sjell vetëm Ramazani”, ka thënë Tërnava.
Tërnava më tej është shprehur se çdo qytetar duhet që të punojë në ruajtjen e familjes si dhe të vendlindjes.
“Është obligim i yni që vendin tonë ta ndërtojmë e ta bëjmë vend me perspektivë. Një vend ku jetohet me dinjitet, ku fëmijët tanë rriten të sigurt e marrin edukim cilësor”, ka thënë Tërnava në përurimin e tij.
Festa e Fitër Bajramit pason muajin e Ramazanit, gjatë të cilit, sipas besimit islam, besimtarët agjërojnë 30 ditë, nga lindja e diellit deri në perëndim të diellit, në shenjë sakrifice dhe përkushtimi ndaj Zotit.