Shefi i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka kërkuar nga Qeveria dhe kryeministri Albin Kurti, shkarkimin e Bordit të Korporatës Energjetike të Kosovës dhe kryeshefit ekzekutiv Nagip Krasniqi, i cili është arrestuar të mërkurën.
Sipas Tahirit, Krasniqi po mbahet në detyrë edhe nga kryeministri Kurti, por edhe nga ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
“Ekziston një siklet i madh te ju dhe te komplet grupi parlamentar. Po ta rikujtoj që gjënë e parë që do të duhej të bëni sot si kryeministër, ta mblidhni urgjentisht Qeverinë, ta shkarkoni Bordin e KEK-ut, dhe ta shkarkoni kryeshefin ekzekutiv të KEK-ut, që tashmë gjendet në burg, i cili po mbahet në burg dhe po mbahet në detyrë nga pozicioni juaj, sepse e mban në detyrë edhe Martin Berishaj, edhe Kurti”, ka thënë ai.
“Prandaj sot më e pakta që ju t’i hapni rrugë këtyre hetimeve është shkarkimi i tërë bordit, të cilët edhe ashtu janë njerëz të cilët janë të dërguarit e juaj që më herët i kanë shërbyer prokurorëve specialë e tash ju shërbejnë juve”.
Tahiri ka theksuar se kjo nuk i bën nder, as pozitës, e as Kosovës.
“Po ju bëj thirrje që ta shkarkoni Bordin e KEK-ut dhe kryeshefin që po mbahet në burg. Kjo nuk po ju bën nder, as juve, as Kosovës. Ky mllefi juaj sot kalon, por dëmi që po i bëhet vendit edhe brenda, por edhe jashtë, është jashtëzakonisht madh”.