Të enjten e 5 majit po mbahet Konferenca Rajonale e drejtorëve të Policisë në Shkup, në të cilën po merr pjesë edhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti dhe drejtorë të Policive të shteteve të ndryshme.
Kjo konferencë është duke u mbajtur si dedikim i luftës ndaj krimit të organizuar, sfidave dhe mbështetjes.
Gjatë pjesëmarrjes në këtë konferencë rajonale, drejtori Mehmeti ka realizuar edhe një takim bilateral, mjaft të rëndësishëm me drejtoreshën ekzekutive të EUROPOL-it, Catherine de Bolle.
Në këtë takim u diskutuan tema të rëndësishme me interest të përbashkët, përfshirë edhe bashkëpunimin në fusha të ndryshme, si dhe shkëmbimin e informacioneve, të cilat ndërlidhen me luftën ndaj krimit dhe sigurisë së përgjithshme, e që i referohen marrëveshjes ndërmjet Policisë së Kosovës dhe EUROPOL-it, të arritur në shtator të vitit të kaluar për kanalin e sigurt të komunikimit.
Ky takim u vlerësua nga dy palët si një takim mjaft i frytshëm dhe pozitiv, i cili do të rrisë edhe më tej bashkëpunimin e ndërsjellë.