Ish-prokurori Sylë Hoxha i ka cilësuar si “të panevojshme” ndërhyrjet në Kuvendin e Kosovës ndaj Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.
Në një lidhje telefonike në “Debat Plus” të RTV Dukagjini, Hoxha ka thënë se ajo çka i duhet sistemit prokurorial është një mbështetje institucionale dhe jo “konkulzionet” e fytyrave publike.
“Po besoj që është ndërhyrje në sistemin e drejtësisë, në sistemin prokurorial konkretisht, sa munda t’i përcjell lajmet e mbrëmjes, ndërhyrje që besoj, në mendimin tim, e panevojshme sepse as deputetët, as ministra as kerkush prej Qeverisë nuk është mirë me ndërhy, me dal me këso vlerësime apo konstatime sepse sistemi prokurorial ka nevojë për një përkrahje insitutcionale me ndihmu me kuadra, me pjesë të tjera…”, ka deklaruar Hoxha.
Ndër të tjera, ai ka thënë se beson që prokurori i çështjes mbi arrestimin e drejtorit të KEK-ut, Nagip Krasniqit ka pasur një dyshim të bazuar mbi të përderisa hetimet tashmë kanë filluar.
“Për çështjen e emërimit të Kryeprokurorit të shtetit, ajo është një çështje procedurale që është deshur deri tash të përfundojë ndërsa sa i përket rastit të Nagip Krasniqit, më vjen keq që nuk e di.…mirëpo unë sigurisht që si prokuror besojë që ai kolegu, nuk e di cili është…sigurisht që ka pasur një dyshim të bazuar që i ka hapur kërkimet dhe ka kërkuar një masë të paraburgimit për të”, ka thënë ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjersa ka folur rreth rastit të arrestimit të kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) Nagip Krasniqi, ka thënë se në të kaluarën ka pasur “keqpërdorime marramendëse”, mirëpo sipas tij, ato asnjëherë nuk janë trajtuar nga sistemi i drejtësisë.
Ai tha se arrestimi i Krasniqit e gëzoi opozitën e se në Prokurori ekziston disponim negativ ndaj Qeverisë, gjë e cila sipas Kurtit, lidhet me prokurorin Isufaj.
Kurti: Arrestimi i Krasniqit e gëzoi opozitën, në Prokurori ekziston disponim negativ ndaj Qeverisë
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka bërë kërkesë për caktimin e paraburgimit pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Speciale, ndaj të pandehurit, Nagip Krasniqit.
Kjo për shkak të dyshimit të bazuar se ai ka kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK, “Ushtrimi i ndikimit’’ nga neni 424 paragrafi 1 të KPRK-së, dhe veprën penale “Konflikti i interesit’’ nga neni 417 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.
Të njëjtit i është caktuar paraburgimi prej 30 ditësh.