Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka marrë pjesë në Kongresin e III-të të Noterëve të Shqipërisë.
“Në fjalën e tij, zëvendësministri Sallahu, përshëndeti punimet e këtij Kongresi, duke theksuar se aktivitetet e tilla i shërbejnë shkëmbimit të përvojave më të mira, por edhe zgjojnë vëmendjen e autoriteteve për hartimin dhe zbatimin e politikave të nevojshme me qëllim të avancimit të standardeve të profesionit të noterit”, njofton Ministria e Drejtësisë.
Sallahu bëri të ditur se Kosova dhe Shqipëria janë duke shtuar bashkëpunimin në mes vete përmes nënshkrimit të marrëveshjeve, veç tjerash, edhe në fushën e noterisë, ashtu që ministrat e Drejtësisë së Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë shumë shpejt do të nënshkruajnë deklaratat e njohjes së ndërsjelltë të akteve noteriale, që në kushte reciprociteti do të prodhojnë efekt të njëjtë juridik në të dyja vendet.
“Në fund, zëvendësministri Sallahu u shpreh i nderuar për pjesëmarrjen në këtë Kongres, ku janë prezentë përfaqësues të shumtë të autoriteteve kombëtare dhe ndërkombëtare të noterëve, përfshirë edhe përfaqësuesit e Odës së Noterëve të Republikës së Kosovës”, thuhet tutje në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.