Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në votimet e zgjedhjeve në veri të dielën.
Me anë të një postimi në Facebook, Sveçla ka thënë se e nesërmja, dita e zgjedhjeve, paraqet mundësinë që grupet e dirigjuara nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, të marrin përgjigjen e tyre dhe jo vetëm.
“Nesër do të mbahet procesi zgjedhor në 4 komunat veriore dhe përkundër frikës dhe pasigurisë që tentojnë të përhapin qarqe të caktuara e të orkestruara, ju bëj thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në votim. Nesër është mundësia që përmes votës së qytetarëve, grupet që kanë udhëhequr nën dirigjimin e Vuçiq të marrin përgjigjen e merituar dhe qytetarët të çlirohen përfundimisht nga ta”, ka shkruar Sveçla.
Gjersa ka përmendur kërcënimet e deritanishme ndaj komunitetit serb, ky i fundit ka thënë se si shkak i ndikimit nga shteti serb, shumë kandidatë kanë dhënë dorëheqje.
“Serbia po vijon me përndjekje e arrestime të serbëve të cilët akuzohen se janë angazhuar në institucionet tona. Pasi nën presion i’u kanë kërkuar dorëheqjet nga institucionet tona, tani edhe i ndëshkojnë përmes arrestimeve e i kërcënojnë përmes formave të ndryshme. Qëllimet e Serbisë për destabilizimin e vendit tonë më së shumti kanë rënduar mbi qytetarët e komunitetit serb të cilët në vazhdimësi janë përdorur si mjet për arritjen e qëllimeve të tyre. Ata janë kërcënuar në vazhdimësi, janë sulmuar, veturat dhe pronat e tyre janë djegur sapo i kanë dorëzuar targat ilegale të Serbisë, bizneset e tyre janë shkatërruar çdoherë që pronarët nuk kanë pranuar të jenë pjesë e lojërave të tyre. Zërat ndryshe janë ndalur padrejtësisht e me orë të tëra nga policia dhe shërbimi sekret i Serbisë ndërsa tani kur jemi në proces zgjedhor, shumë kandidatë janë penguar e janë dorëhequr përshkak të presioneve e sulmeve të shumta”, ka shkruar Sveçla.
E diela e 23 prillit është data kur do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave në Mitrovicën e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.
Rreth 360 është numri i vëzhguesve të akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) për të vëzhguar zgjedhjet e së dielës, më 23 prill, që do të mbahen në katër komunat e veriut të Republikës së Kosovës.
Nga 44 sa kanë qenë në të kaluarën, kësaj radhe do të jenë 19 qendra votimi, e shumica prej tyre do të improvizohen në kontejnerë.
Numri i përgjithshëm i qendrave të votimit në këto katër komuna është 19, me gjithsej 34 vendvotime, prej tyre 6 janë qendra votimi të rregullta, me gjithsej 6 vendvotime, ndërsa 13 qendra të tjera votimi janë alternative, me gjithsej 28 vendvotime.
Për zgjedhjet në veri do të shtypen 43 mijë e 500 fletëvotime.
Që të tria komunat, Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku kanë mbetur pa kryetar të komunave që nga nëntori i vitit të kaluar. Kjo pasi serbët braktisën institucionet e Kosovës për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa serbe.
Në garë për kryetar të këtyre komunave janë 10 kandidatë nga tri subjekte politike, prej të cilave, vetëm një nga komuniteti serb.