Është votuar me 93 vota për, themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për energjinë, i propozuar nga grupet opozitare.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka ngritur mocionin për formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për energjinë, siç është kërkuar nga opozita, po ashtu edhe nga pushteti.
”Pas një konsultimi me kryesinë dhe kryetarët e grupit u arrit një formë kompromisi. Që të procedojmë me një mocion të cilin do ta ngris unë, si kryetar. Po e vëmë në dy pika mocionin, e para për ta vendosur në votim themelimin e Komisionit Hetimor të iniciuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK). E dyta të jetë themelimi i komisionit hetimor i propozuar nga LVV-ja”, ka thënë ai.
Kryesues të këtij komisioni do të jenë Driton Selmanaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK), ndërsa nënkryetar Ferat Shala nga PDK-ja.
Gjithashtu, është votuar edhe formimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për Energjinë i propozuar nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.
Për formimin e këtij komisioni kanë votuar 95 deputetë të cilët ishin të pranishëm në sallë.
Kryesues i këtij komisioni do të jetë Hajdar Beqa nga Partia Demokratike e Kosovës.