Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi, ka thënë se komuniteti serb në veri të vendit është në kërcënim të vazhdueshëm nga Lista Serbe.
Në edicionin special informativ të RTV Dukagjinit në ditën e Zgjedhjeve të Jashtëzakonshme Lokale në veri, Ibishi ka thënë se vërehet dukshëm presioni i Serbisë në këto zgjedhje.
“Shihet një presion i vazhdueshëm i Beogradit në krye me Vuçiqin, i cili bën presion, edhe jo vetëm presion, por edhe kërcënime duke i arrestuar, duke i sulmuar qytetarët që në njëfarë forme po paraqiten besnikë ndaj institucioneve të Kosovës, edhe normal, edhe ato çka i parapriu djegia e automjeteve të tjera…”, ka deklaruar Ibishi, gjersa ka theksuar se “Mendoj që komuniteti serb në veriun e Kosovës është në presion dhe kërcënim të vazhdueshëm nga Lista Srpska”.
Nga ana tjetër, Ibishi vlerëson se zgjedhjet kanë filluar qetë, ndonëse mendon se një numër i vogël i qytetarëve do të votojnë.
E diela e 23 prillit është data kur do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të komunave në Mitrovicën e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.
Materialet e ndjeshme të votimit kanë arritur me vonesë në njërën nga qendrat e votimit në Zveçan.
Ndërkaq, siç raporton RTV Dukagjini, në Mitrovicën e Veriut kanë arritur materialet e votimit në kohë.