Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, u ka bërë thirrje serbëve në veri të Kosovës që t’i bojkotojnë zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale, të cilat i cilësoi si “jolegjitime”.
Mediumi serb ”Tanjug” shkruan se Rakiq para se të shkruante pjesën për bojkotimin, ndjekësve të tij në Facebook ua numëroi edhe “arsyet”.
“Për shkak të çdo serbi të arrestuar padrejtësisht; për çdo gënjeshtër të thënë nga Kurti; për çdo plumb të gjuajtur ndaj fëmijëve serbë; për shkak të represionit të përditshëm që pëson populli serb; për shkak të keqtrajtimit të vazhdueshëm të serbëve nga njësitet speciale në veri; për shkak të frikës në mesin e serbëve që mbjellin politikat e Kurtit, për çdo vend të shenjtë të përdhosur serb dhe çdo monument të shkatërruar, për shkak të moszbatimit të të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara!! Bojkotim zgjedhjeve jolegjitime dhe ilegale‼️”, ka shkruar Rakiq sot në Facebook.
Lista Serbe vendosi të mos marrë pjesë në zgjedhje.
Qytetarët në katër komunat veriore Mitrovicë e veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, janë duke votuar sot për kryetarin e ri të komunës.