Sveçla: Veriu është i qetë, nuk ka tendencë për eskalim

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se nuk vërehet ndonjë tendencë për eskalim të situatës në veri dhe se Policia e Kosovës sipas tij, nuk ka qenë kurrë më e përgatitur për të ofruar siguri për të gjithë qytetarët

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se deri më tani procesi i zgjedhjeve në komunat e veriut, sa i përket çështjes së sigurisë, është duke shkuar mirë.

Ai ka thënë të dielën se këto zgjedhje janë më ndryshe në aspektin e sigurisë, pasi Policia e Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme janë më të angazhuara.

“Realisht kemi një situatë të qetë që do të thotë se për dallim nga më herët, ka mungesë të incidenteve. Jemi dëshmitarë të bojkotit nga ana e Listës Serbe dhe të presionit të ditëve të fundit që iu janë bërë qytetarëve të etnisë serbe që të mos dalin në zgjedhje. Sot nuk vërehet tendencë për eskalim të situatës”, ka deklaruar Sveçla.

Sipas ministrit, institucionet po punojnë me kapacitet maksimal për mbarëvajtjen e procesit, ndërsa ka shtuar se Qeveria është më e vendosur se kurrë që “veriun ta bëjë pjesë të zakonshme si gjithë Republikën e Kosovës”.

Sveçla ka shtuar se pret që gjatë ditës të rritet numri i pjesëmarrësve në zgjedhje, ndonëse ka potencuar se është i vetëdijshëm se si pasojë e presioneve të jashtëzakonshme, nuk do ta shfrytëzojnë të drejtën e votës të gjithë qytetarët.

“Pavarësisht presioneve dhe shantazheve që Lista Sërpska dhe Beogradi kanë bërë, edhe ndërkombëtarët kanë njoftuar se këto zgjedhje janë legale. Qytetarët e kësaj zone kanë qenë subjekt i shantazheve, i kërcënimeve, maltretimeve, arrestimeve edhe vrasjeve, patjetër që kjo ka pasur ndikim në guximin e qytetarëve që t’iu kundërvihen veprimeve kriminale. Lista Sërpska dhe Beogradi në vazhdimësi kanë shtyrë agjendat e tyre duke kërcënuar qoftë institucionet e Kosovës, qoftë qytetarët e kësaj zone”, ka thënë ai në një linjë direkte për Radio Televizionin e Kosovës.

Sipas ministrit të Brendshëm, këto zgjedhje janë mjet për t’i neutralizuar shantazhet që bëhen nga Lista Serbe dhe nga Beogradi.

“Ne në vazhdimësi duhet të punojmë që të gjitha këto mekanizmat e shantazheve kriminale të Beogradit t’i neutralizojmë, edhe këto zgjedhje janë mjet i neutralizimit të shantazheve. Nuk mund Kosova të jetë peng i kontrabandistëve, i Listës Sërpska, me anëtarë të së cilës janë të kërkuar jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë”, ka thënë ai.

Në Qendrën e votimit në Zherovnicë të Zveçanit, përveç kandidates së pavarur për kryetare të Zveçanit, Sllagjana Pantoviq, asnjë tjetër qytetar tjetër nuk ka hedhur votën.

Kjo është pika më e afërt me qendrën e Zveçanit. Pantoviq, kishte votuar pak minuta pas orës tetë.

Ndërsa, në vendvotimin mobil te Shkolla Teknike në Mitrovicën e Veriut, deri më tani kanë votuar gjashtë shqiptarë nga 5200 me të drejtë vote.

Në një konferencë për media, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se deri në orën 11:00 kanë votuar 313 qytetarë.

Shija e redaktorit

Blinken uron Shqipërinë: Lidhjet tona do të vazhdojnë të lulëzojnë

Në një mesazh për 28 Nëntorin, sekretari i Shtetit të SHBA-së, Antony  Blinken, shprehu urimet e tij për popullin shqiptar, duke theksuar marrëdhëniet e...

Osmani: 28 Nëntori, kujtim i sakrificave dhe simbiozë e tri...

Në një urim për 28 Nëntorin, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar rëndësinë historike të kësaj dite, duke e cilësuar atë si një...

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të fundit nga rubrika