Përse Koreja e Jugut dëshiron armë bërthamore?

Të jesh shtet me armë bërthamore është vendim i madh. Rendi aktual ndërkombëtar është ndërtuar mbi mospërhapjen e armëve bërthamore dhe ato që kërcënojnë këtë rend, si Irani dhe Koreja e Veriut, kanë paguar çmim të lartë. Analistët thonë se publiku i Koresë së Jugut ndoshta nuk i ka marrë parasysh pasojat. SHBA-ja mund të tërhiqet nga angazhimi i saj i mbrojtjes, Kina mund të hakmerret me egërsi duke goditur Korenë e Jugut me sanksione dhe vendi i tyre mund të përfundojë i izoluar

Të strukur në një dhomë private në restorantin nëntokësor në Seul, një grup jug-koreanësh janë mbledhur për drekën klandestine. Në mesin e tyre ka politikanë, shkencëtarë dhe ushtarakë.

Identitetet e disa prej tyre janë shumë të ndjeshëm për t’i publikuar. Ky është takimi i parë i Forumit për Politikë Bërthamore dhe agjenda e tyre është shumë ambicioze – si mund t’i prodhojë Koreja Jugore armët bërthamore?.

Ideja dikur as që zihej nëpër gojë, ka shpërthyer në rrjedhën e lajmeve në muajt e fundit. Madje edhe presidenti Yoon Suk-yeol e ka ngritur si mundësi në takimin e mbrojtjes, duke u bërë presidenti i vetëm që ka vënë në tavolinë këtë mundësi në kohërat moderne. Tani kolumnet e gazetave i japin jehonë kësaj, teksa tre të katërtat e publikut e përkrahin idenë.

Jug-koreanët janë në panik nga fqinjët e tyre veriorë të armatosur me bomba bërthamore dhe të mërkurën Yoon do të niset drejt Shtëpisë së Bardhë për të kërkuar ndihmën e presidentit amerikan, Joe Biden.

Edhe më parë jug-koreanët kanë flirtuar me idenë e zhvillimit të armëve bërthamore në vitet ’70 kur mbajtën një program sekret. Mirëpo, kur SHBA-ja mori vesh për këtë, i dha ultimatum: Seuli mund të vazhdonte programin ose të mbrohej nga SHBA-ja me arsenalin e saj të plotë bërthamor.

Zgjodhi përkrahjen nga SHBA-ja dhe sot e asaj dite mijëra ushtarë amerikanë janë të stacionuar në shtetin korean.

Që atëherë, situata gjeopolitike ka ndërruar krejtësisht. Koreja e Veriut ka prodhuar armë edhe më të sofistikuara bërthamore që mund të shfarosin qytetet, duke lënë njerëzit duke pyetur nëse Washingoni ende mund t’i dalë në mbrojtje Koresë Jugore.

Frika nga Kim Jong-un

Këtu është skenari që ata po përtypin: një trazovaç si Kim Jong-un sulmon Korenë e Jugut, duke detyruar SHBA-në të ndërhyjë. Kim më pas kërcënon se do të shpërthejë një bombë bërthamore mbi territorin e SHBA-së, nëse ajo nuk tërhiqet nga lufta. Çfarë bën Washingtoni?

A rrezikon që San Francisko të kthehet në rrënoja vetëm për të shpëtuar Seulin? Ndoshta jo, është përfundimi në të cilin kanë ardhur ata në takimin e fshehtë të drekës.

“Është joracionale të mendojmë se një vend tjetër duhet të na mbrojë. Ky është problemi ynë dhe përgjegjësia jonë”, ka thënë Choi Ji-young, anëtar forumi dhe anëtar i Partisë së Pushtetit Popullor të Koresë së Jugut.

Kryetari i forumit, akademik Cheong Seong-chang, prezantoi planin e tyre. Herën tjetër që Veriu do të testojë një armë bërthamore, Seuli do të tërhiqej nga Traktati për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT). Nëse, brenda gjashtë muajve, Kim nuk ka pranon të diskutojë heqjen dorë nga disa prej armëve, Seuli do të fillojë të ndërtojë të vetat.

Cheong argumenton se kjo do të reduktonte probabilitetin e një lufte bërthamore në gadishullin Korean, pasi Kim do të kishte më pak gjasa të sulmonte, duke e ditur se Jugu mund të kundërpërgjigjet.

Por Jenny Town, nga grupi i ekspertëve 38 North me bazë në SHBA, sfidon supozimin se Jugu i armatosur me armë bërthamore do ta bënte Veriun më pak aventurier. “Më shumë armë bërthamore nuk e bëjnë botën më të sigurt nga përdorimi i armëve bërthamore”, thotë ajo.

“Nëse shikoni Indinë dhe Pakistanin si shembull, kjo nuk është ajo që ne kemi parë. Po të jetë diçka, të qenit të armatosur me armë bërthamore u ka dhënë atyre të dyve dritën jeshile për të shkuar pak më tej”.

Armatosja e shtetit

Një Kore e Jugut e armatosur me armë bërthamore nuk është absolutisht ajo që dëshiron Washingtoni.

Megjithatë, kjo bishë është pjesërisht krijim i Amerikës. Në vitin 2016, presidenti i atëhershëm Donald Trump akuzoi Korenë e Jugut për “lëvizje të lirë”. Ai kërcënoi se do ta detyronte Seulin të paguante për trupat amerikane të vendosura në Korenë e Jugut, ose përndryshe do t’i tërhiqte. Frika që është nxitur nga këto fjalë nuk është pakësuar me kalimin e kohës.

Një numër i madh në Korenë e Jugut, të vetëdijshëm se premtimet e Amerikës janë po aq të mira sa lideri i saj i ardhshëm, tani favorizojnë prodhimin e bombës.

Një pasdite të së dielës së fundit, në një saunën lokale në Seul, të rinj dhe të moshuar nga të gjitha anët u mblodhën për të lehtësuar dhimbjet e tyre javore, ndërsa kënaqeshin me birrën dhe pulën e pjekur.

Teksa mund të duket e çuditshme të diskutohet për përhapjen bërthamore në një mjedis të tillë, këto ditë, ajo është pothuajse temë e çdo bisede.

“SHBA nuk do të përdorë armët e saj bërthamore për të na mbrojtur, kështu që ne duhet të kemi kontrollin e mbrojtjes sonë”, thotë 31-vjeçari Koo Sung-wook, i cili u lëkund në këtë mënyrë gjatë kohës së tij në ushtri.

Ai shërbeu në vitin 2010, gjatë një krize të madhe kur Koreja e Veriut bombardoi një ishull të Koresë së Jugut, duke vrarë katër persona.

“Ndihej si emergjencë totale. Njësitë po thërrisnin prindërit e tyre dhe po shkruanin testamente”, tregon ai. Tani shqetësohet jo vetëm për Korenë e Veriut, por edhe për Kinën. “Ne jemi të rrethuar nga këto fuqi të mëdha dhe ecim mbi lëvozhgat e vezëve rreth tyre. Për të qenë konkurrues, ne duhet të kemi armë bërthamore”.

Pothuajse të gjithë në sauna u pajtuan, madje edhe 82-vjeçarja Hong In-su. Si fëmijë i Luftës së Koreve në vitet 1950, ajo thotë se ishte kundër armëve bërthamore, përpara se me ngurrim të përfundonte se ato ishin një e keqe e domosdoshme: “Vendet e tjera po zhvillojnë të tyren, kështu që nuk e kuptoj se si mund të vazhdojmë pa to pasi bota po ndryshon”.

Një grua tjetër ishte e shqetësuar nëse SHBA-ja do të mbronte Korenë e Jugut dhe mendoi se “më mirë të kishte armë bërthamore për çdo rast”, ndërsa një nënë e re shqetësohej se marrëdhënia aktuale e Seulit me SHBA-në mund të ndryshonte në çdo moment.

Washingtoni po përpiqet të sigurojë aleatin e tij për angazhimin e madh në mbrojtje të tij. Në fillim të këtij muaji ajo vendosi një aeroplanmbajtëse gjigante me energji bërthamore në portin jugor të Busanit.

Por për zhgënjimin e politikëbërësve amerikanë, gjeste të tilla qetësuese duket se nuk po funksionojnë më.

Politikanët e Seulit janë bërë të kujdesshëm për t’u mbajtur në errësirë, të paqartë se çfarë do ta shtynte presidentin amerikan ta shtypte butonin bërthamor në emër të tyre. Aktualisht, nuk ka asnjë kërkesë që Bideni t’i tregojë Yoon para se ta bëjë këtë.

“Të paktën ne mund të bënim telefonatë të detyrueshme, për sa kohë që kuptohet se ky është ende vendimi i presidentit të SHBA-së”, thotë Town.

Yang Uk, analist i mbrojtjes në Institutin Asan me seli në Seul, ishte në dhomë me presidentin Yoon kur ai bëri komentet e tij për Korenë e Jugut duke u bërë bërthamore. Ai pretendon se Yoon po i bënte presion indirekt SHBA-së.

“Shtetet e Bashkuara janë kaq të gatshme për të diskutuar politikën e saj bërthamore me Korenë e Jugut dhe megjithatë nëse një luftë bërthamore shpërthen në gadishull, ne jemi ata që do të vuajmë më shumë”, thotë ai.

Seuli po shtyn që të përfshihet më shumë në planifikimin dhe ekzekutimin rreth përdorimit bërthamor. Kjo mund të nënkuptojë të ketë armë bërthamore amerikane të stacionuara në Korenë e Jugut, ose të ketë marrëveshje për ndarjen bërthamore, të ngjashme me atë në Evropë, ku Koreja e Jugut është në gjendje të përdorë armët amerikane në rast lufte. Një opsion më pak drastik do të ishte krijimi i një grupi të përbashkët të planifikimit bërthamor.

Plani i SHBA-së

SHBA-ja nuk ka gjasa të ofrojë shumë, por e di se duhet të japë diçka konkrete që presidenti Yoon mund ta konsiderojë si një fitore dhe t’ia shesë publikut të Koresë së Jugut. Edhe kështu, mund të jetë shumë vonë. Kjo ide dikur e paimagjinueshme tani është ngulitur aq fort në psikikën e Koresë së Jugut, sa është e vështirë të shihet se si mund të çrrënjoset.

Të jesh shtet me armë bërthamore është vendim i madh. Rendi aktual ndërkombëtar është ndërtuar mbi mospërhapjen e armëve bërthamore dhe ato që kërcënojnë këtë rend, si Irani dhe Koreja e Veriut, kanë paguar çmim të lartë. Analistët thonë se publiku i Koresë së Jugut ndoshta nuk i ka marrë parasysh pasojat.

SHBA-ja mund të tërhiqet nga angazhimi i saj i mbrojtjes, Kina mund të hakmerret me egërsi duke goditur Korenë e Jugut me sanksione dhe vendi i tyre mund të përfundojë i izoluar, një tjetër shtet i dështuar, me reputacionin e saj verbues ndërkombëtar në rrënim.

Në saunë, njerëzit dukeshin të patrazuar nga këta skenarë. Vetëm një grua pranoi se nëse do të thoshte që Koreja e Jugut të bëhej “bosht i së keqes”, atëherë ndoshta nuk ia vlente.

Por kjo nuk ka gjasa të ndodhë. Koreja e Jugut është shumë e rëndësishme strategjikisht dhe ekonomikisht për t’u shmangur si Koreja e Veriut.

Shumica e analistëve as nuk besojnë se SHBA-ja do t’i jepte fund aleancës së saj ushtarake prej dekadash. Në vend të kësaj, shqetësimi është se armatimi i mundshëm bërthamor i Koresë së Jugut do të krijonte çarje të tillë në regjimin e mospërhapjes, do të bënte që vendet e tjera ta ndiqnin.

Vetëm 82-vjeçarja, Hong In-su, dukej se po përballej me rreziqet më herët. Ajo citoi një fjalë të urtë koreane që përafërsisht përkthehet në “bie në jashtëqitjen tënde”, ose me fjalë të tjera, kjo mund të rezultojë seriozisht kundër. “Unë mendoj se armët bërthamore do të kthehen për të na dëmtuar”, thotë ajo.

“Më vjen keq për gjeneratat e ardhshme”.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika