Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një person në Istog, nën dyshimin se bashkë me rroba i ka dërguar djalit të tij, i cili ishte duke vuajtur dënimin në burgun e Dubravës, edhe substancë të dyshuar narkotike.
Në raportin 24-orësh të policisë bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të dielën.
Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit, i cili ka nxjerrë aktvendim mbi ndalimin e të dyshuarit për 48 orë, mirëpo për shkak të gjendjes shëndetësore, i dyshuari vazhdon trajtimin në Spitalin Rajonal të Pejës nën sigurimin e policisë.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi dyshohet se përderisa i kishte dërguar rroba djalit të tij, i cili është në vuajtje të dënimit, në to kishte futur një sasi prej 4.4 gramë substancë e dyshuar narkotike, e cila është gjetur gjatë kontrollit dhe është sekuestruar nga zyrtarët policorë. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit, i cili ka nxjerrë aktvendim mbi ndalimin e të dyshuarit për 48 orë, mirëpo për shkak të gjendjes shëndetësore, i dyshuar vazhdon trajtimin në Spitalin Rajonal të Pejës nën sigurimin e policisë”, thuhet në raportin 24-orësh.