Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama për ditëlindjen e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se ka qenë “një ditë e vrenjtur” edhe brenda tij.
“Zakonisht në këtë ditë të vitit jam mësuar, prej vitesh, t’i uroj ditëlindjen si vëllait tim, Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi. Dhe pengesa për t’ia uruar ditëlindjen një njeriu të dashur, të gjallë e të marrë peng në rrethana të njohura, jo nga forca të errëta e të panjohura, po nga Bashkësia e Lartë Ndërkombëtare, ka gjithë ditën që më rri mbi kokë si boshllëk i zymtë, thithës e lodhës”, ka shkruar Rama.
Rama ka thënë se nuk ka dashur të bëjë këtë urim në mëngjes sepse sipas tij, e ka penguar “një ngërç në fyt”.
“As e kam dot idenë nëse sivëllau im do të mund t’i lexojë sot këto rreshta, që as urim nuk janë edhe pse urimin që të jetojë sa malet e Shqipërisë unë po e bëj, por di me siguri që në këtë ditëlindje të Hashim Thaçit kam tërë ditën që më rri si gozhdë e ngulur në tru pyetja: A e dinin vallë ata, miqtë tanë të mëdhenj që e lindën atë gjykatë, se historia e saj do të zhvillohej kështu, kaq zymtësisht e padrejtë me njerëz që luftuan për lirinë e popullit të tyre dhe me vetë Kosovën?!”, ka shkruar tutje presidenti shqiptar.
Rama është shprehur i frikësuar se të vërtetën për këtë s’ka për ta marrë vesh “kurrë”.
“Po ndoshta këtë frikë e kam nga vranësira brenda meje që s’ia urova dot ditëlindjen Hashimit me telefon, siç jam mësuar prej shumë vitesh. Edhe 100 Komandant”, ka thënë ndër të tjerash ai.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot mbush 53 vjet. Për dallim nga vitet e kaluara kur ai festonte pranë familjes, kjo datëlindje Thaçin e gjen në Hagë, ku po akuzohet për krime lufte nga Gjykata Speciale.