94 asete me vlerë dhe 1 mijë e 549 toka në zona të ndryshme kadastrale me rreth 48 mijë hektarë tokë mund të konsiderohen se kanë potencial për t’u bartur në Fondin Sovran.
Kështu kanë bërë të ditur nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.
Ndonëse për televizionin kanë thënë se nuk kanë asnjë informacion se çfarë po ndodh me Ligjin për Fondin Sovran, ata kanë filluar të mbledhin informacione për astet që mund të kalojnë në pronësi të tyre.
Aty shtohet se nga këto prona janë miniera, ndërtesa administrative e lokale, fabrika, hotele, ferma, depo të ndryshme, toka bujqësore të të gjitha kategorive e të tjera dhe po i koordinojnë veprimet me Qeverinë.
Agjencia Kosovare e Privatizimit ka theksuar se “deri më tani, pas një analize të hollësishme e konkrete, AKP ka arritur që t’i evidentojë në një regjistër të përbashkët gjithsej 2448 asete. Prej tyre është vlerësuar se 94 asete me vlerë dhe 1549 toka në zona të ndryshme kadastrale me rreth 48 mijë hektarë tokë mund të konsiderohen se kanë potencial për t’u bartur në Fondin Sovran, si miniera, ndërtesa administrative e lokale, fabrika, hotele, ferma, depo të ndryshme, toka bujqësore të të gjitha kategorive etj. Sidoqoftë, AKP dhe Qeveria janë duke i koordinuar veprimet në lidhje me finalizimin e listës së aseteve që mendohet të barten në Fondin Sovran”.
Të heshtur karshi kësaj çështje po vazhdojnë të qëndrojnë nga Qeveria e Kosovës.
Ndonëse projektligji në fjalë ka dalë në diskutim publikë, nga Zyra për media e Ekzekutivit por as Minsitria e Zhvillimit Ekonimik nuk kanë dhënë përgjigje tash e disa ditë për këtë çështje.
Të painformuar janë edhe partitë opozitare.
Ferat Shala, deputeti nga radhët e PDK-së ka theksuar se “tash e dy vite kemi vetëm një draft që le shumë për të dëshiruar. Kjo është një gabim strategjik dhe dështim i radhës në fushën e ekonomisë. Kjo nuk korrespondon më trendin e ekonomisë me logjiken zhvillimore me ndërmarrjet dhe situatën që e kanë ato. Edhe si draft është i pakuptimtë dhe shumë problematika. Fondi Sovran duhet t’i qartësoj gjërat para se të miratohet”.
Pritshmëri nuk kanë as ata që dikur ishin pjesë e Qeverisë.
Haki Shatri- Ish-ministër i Financave ka theksuar se “ menaxhimi i pasurisë kombëtare nga ana e shtetit nuk jep rezultate pozitive asnjëherë. Mbrapa kësaj ideje fshihet tendenca e kësaj qeverie e cila është skajshmerisht e majt, një ide apo dëshirë që është kaluar nga vendet e tjera përveç në Kore që shteti të kontrollojë pasurinë kombëtare dhe rezultatet nuk janë premtuese”.
Në dokumentin e publikuar nga Qeveria e Kosovës, thuhet se ky ligj ka për qellim të themelojë Fondin Sovran të Republikës së Kosovës si institucion investiv dhe zhvillimor, të përcaktojë statusin, funksionet dhe qeverisjen e Fondit, si dhe të rregullojë menaxhimin e aseteve, investimet dhe financimin e Fondit.