Analisti Visar Ymeri, ka thënë se ndërhyrja nga Serbia në zgjedhjet në veri të cilat u mbajtën të dielën e 23 prillit, pati sukses.
Në emisionin “Debat Plus”, në RTV Dukagjini ku po diskutohet lidhur me procesin e zgjedhjeve në katër komunat në veri të vendit, Ymeri ka thënë se rezultati i të njëjtave nuk është befasi.
Ai ka theksuar se “politikisht nuk kemi pasur sukses në organizimin e zgjedhjeve, teknikisht po logjistikisht po, por ti s’i ke bindur asnjë pjesëtarë të komunitetit serb që të votojë në këto zgjedhje, s’e ke bindur që këto zgjedhje janë edhe për të”.
“Po e pranojmë, e dimë që këtu ka pasur ndërhyrje nga Serbia e cila ka pasur sukses dhe ky sukses nuk është që e ka përfunduar varësinë nga Serbia, por e ka rritur atë”, ka thënë Ymeri.
Analisti Ymeri shtoi se dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë që është zhvilluar në Bruksel prej vitit 2011 e deri më tani i ka pasur dy qëllime.
“Në njërën anë normalizimi në mes Kosovës dhe Serbisë dhe në anën tjetër dhe normalizimi i marrëdhënieve të brendshme. Këto zgjedhje kurrfarë shërbimi të normalizimit nuk e kanë sjellë përkundrazi mbase kanë mundur ta dëmtojnë pak tutje atë sepse besoj që një numër i konsiderueshëm i serbëve kosovarë që jetojnë në veri dhe jo domosdoshmërisht janë të kënaqur se si po e trajton Vuçiqi dhe politika në Beograd komunitetin serb këtu në njëfarë mënyre me sjelljen tonë shpeshherë edhe po ua mbyllin secilën mundësi tjetër”.
Teksa ngrit pyetjen se çfarë roli e ka ndërmend të luajë plani franko-gjerman, Ymeri thotë se “nëse zgjedhjet nuk mund të organizohen, nëse Serbia do të votojë kundër anëtarësimit në KiE, atëherë si do të duket ajo marrëveshje?”.
Ai ka potencuar se rruga më e mirë dhe e vetme është marrëveshja.
“Pa marrëveshje secila palë do t’i kryejë punët veta e papenguar, pa marrëveshje nuk mund të organizosh as zgjedhje në veri e lëre më diçka tjetër dhe pa marrëveshje ti nuk mund ta ndalësh Kosovën në asnjë organizatë ndërkombëtare”.