Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në diskutim me panelistë në Vjenë, ka shkëmbyer ide se si do të bëhet zgjerimi i Bashkimit Evropian në rajonin e Ballkanit Perëndimor pas normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Kështu ka bërë të ditur ai përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter.
“Shkëmbim i mirë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, hapat e ardhshëm dhe rolin e zgjerimit të Bashkimit Evropian sonte në Vjenë. Falënderoj për organizimin dhe bashkë-panelistët e mi Wolfgang Petritsch dhe Stephanie Fenkart për diskutimin”, ka shkruar Lajçak.
Good exchange on the normalisation of relations between Kosovo and Serbia, the next steps and the role of 🇪🇺 enlargement in Vienna tonight. Thanks to @WebsterVienna for organizing and my fellow co-panelists Wolfgang Petritsch and Stephanie Fenkart for the discussion! pic.twitter.com/JKvKSP264n
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) April 24, 2023
Lajçak, teksa ka folur për takimin e radhës të dialogut të nivelit të lartë që pritet të mbahet më dy maj, ka thënë se si takimi i parë i nivelit të lartë pas Ohrit, do të jetë një takim i rëndësishëm për zbatimin e Marrëveshjes dhe Aneksit të saj.
Me anë të një postimi në Facebook, Lajçak ka theksuar se agjenda do të përfshijë miratimin zyrtar të Deklaratës për Personat e Zhdukur, prezantimin e draft Statutit të parë të Asociacionit.
“Ne presim që të dyja palët të vijnë në Bruksel të përgatitura mirë dhe plotësisht të përkushtuara në fazën e zbatimit”, shkroi ai.
Ai ka njoftuar se këtë javë kishte marrë pjesë në takimin rajonal të BE-së për Ballkanin Perëndimor.
Në fillim të kësaj jave në Bruksel, Lajçak u takua me komandantin e KFOR-it të NATO-s, gjeneralmajor Ristuccia “për të përditësuar njëri-tjetrin në fushat tona përkatëse të përgjegjësisë”.
“Unë e vlerësoj bashkëpunimin tonë të ngushtë dhe njohuritë e tij të vlefshme për situatën e sigurisë në Kosovë, në veçanti në veri të Kosovës. Kam pasur një takim edhe me kryetarin e Seksionit të Marrëdhënieve me Jashtë të Komitetit Evropian Ekonomik dhe Social Dimitriadis”, shtoi ai.
“Unë jam mirënjohës për interesimin dhe mbështetjen e tij në Dialog dhe vlerësoj përpjekjet praktike të KESE-së në nxitjen e dialogut dhe bashkëpunimit për avancimin e qëllimeve tona të përbashkëta në Ballkanin Perëndimor”.