Krasniqi: Efekti i Tiktok-ut, i informatave e videove të shkurtra dhe të shpejta ka ndikuar në moslexueshmëri të mjaftueshme

Artan Krasniqi nga Shtëpia Botuese "Dukagjini", ka diskutuar detajet e hulumtimit të fundit të bërë me organizatën ETEA, rreth lexueshmërisë së popullit të Kosovës, dhe ka theksuar se efekti i videove të shkurtra, informacioneve të shpejta dhe rrjetet sociale ka ndikuar në moslexueshmërinë e mjaftueshme

Artan Krasniqi nga Shtëpia Botuese “Dukagjini”, i ftuar në emisionin “Get Stand” në Radio Dukagjini ka diskutuar detajet e hulumtimit të fundit të bërë me organizatën ETEA, rreth lexueshmërisë së popullit të Kosovës.

Krasniqi ka shpalosur detajet se si vetëm “7.6% e qytetarëve që lexojnë 13 libra, e që i bie pak me shume se një libër brenda një viti, ose 11.8% që thonë se kanë lexuar 8 deri 12 libra në vit. Dhe 25% që lexojnë 4 deri në 7 libra në vit. Nëse i grumbullon, d.m.th që arrin deri 40% e njerëzve që lexojnë të paktën një libër brenda një muaji. 16.7 % e qytetarëve të Kosovës e pranojnë se nuk lexojnë asnjë libër brenda vitit”.

Me këtë rast, Krasniqi ka sqaruar se hulumtimi ka përfshirë shtatë rajonet e Kosovës, 14 komuna dhe 1485 respondentë të ndryshëm.

“Përveç hulumtimit kuantitativ, është përdorë edhe metoda kualitative. Janë përdorë fokus grupi, janë grumbulluar p.sh librarët, botuesit e librave dhe kanë diskutuar rreth problemeve që ata kanë. Prindërit dhe mësimdhënësit janë mbledhur dhe kanë diskutuar se ku janë sfidat e këtyre numrave që kanë dalë”, ka vijuar Krasniqi.

Krasniqi ka theksuar se pavarësisht shifrave të ulëta, tashmë Kosova ka një shifër, statistikë ku bazohet te lexueshmëria e qytetarëve.

“Lajmi i mirë është se tani ka numër të verifikuar për lexueshmërinë në Kosovë. Ka qenë një sekret publik që nuk lexojmë shumë, por tash e kemi një matje empirike, me shifra e numra”.

Një nga arsyet kryesore të lexueshmërisë, apo më mirë të moslexueshmërisë është edhe ndikimi i rrjeteve sociale, informacionet e shpejta e të shkurtra të rrjeteve sociale, siç është Tiktok-u, ka shtuar Krasniqi.

Autori i huaj i parapëlqyer i respondentëve Colleen Hoover, që d.m.th ndikim i Tiktok-ut, ndërsa libri më i pëlqyer pikërisht është “It ends with us”. Ndërsa autori shqiptar është Ismail Kadare, dhe libri më i përmendur “Sikur të isha djalë” nga Haki Stërmilli.

Shtëpia Botuese “Dukagjini” ka vendosur të rikthejë në ribotim librin “Sikur të isha djalë” nga Haki Stërmilli, pas rezultateve të këtij hulumtimi.

Dobitë e të lexuarit, sipas sociologut Krasniqi, është “njohja që ne e krijojmë përmes librit, së pari për veti. Se jemi rrit me atë shprehjen miku më i mirë është libri. Libri është një mjet komunikimi, me të cilin ne flasim, dialogojmë edhe me veten. Njohim veten dhe të tjerët përmes librit dhe ta ngjallë mendimin kritik, të ngjallë dilemat, pyetjet. Rrjedhimisht, nuk të lë të futesh në kutia sikur kanë qejf ideologjitë”.

“Ideologjia, feja, ndonjëherë nuk kanë qejf që populli të dijë shumë, sepse kur di shumë, atëherë bën pyetje shumë. E nuk është mirë me ba shumë pyetje që mos me ban pyetje”, ka përfunduar Krasniqi.

Shtëpia botuese “Dukagjini” dhe organizata ETEA, gjatë muajve shkurt dhe mars 2023, kanë realizuar një hulumtim për nivelin e të lexuarit në Kosovë dhe sfidat në të kultivuarit e kulturës së leximit, ku tashmë kanë marrë të dhëna konkrete mbi situatën në shoqërinë kosovare.

Në një njoftim, disa nga këto të dhëna i kanë ndarë më publikun në Ditën Ndërkombëtare të Librit dhe të Drejtës së Autorit.

“Për të gjetur nivelin e leximit dhe kulturës së të lexuarit në Republikën e Kosovë është përdorur metoda e kombinuar (metoda sasiore dhe metoda cilësore). Shtëpia botuese “Dukagjini” dhe organizata ETEA, përmes anketave, fokus-grupeve dhe intervistave, kanë nxjerrë të dhëna nga 14 komuna të Republikës së Kosovës (nga 2 në nivel rajonal) të zgjedhura mbi parimin e numrit të banorëve dhe të ardhurave ekonomike për komunë, të cilat janë: Prishtina, Obiliqi, Mitrovica, Skenderaj, Peja, Klina, Gjakova, Juniku, Prizreni, Mamusha, Gjilani, Kamenica, Ferizaj dhe Hani i Elezit. Numri i respodentëve për komunë është bazuar në numrin total të banorëve sipas komunave, sipas përqindjes që përbëjnë totalin e banorëve në Republikën e Kosovës. Nga respodentët e anketuar në terren, 56.4% kanë qenë gra, kurse 42.7% burra. 0.9 për qind kanë refuzuar të përgjigjen se cilës gjini i takojnë. Mosha e respodentëve është nga 10-65+ vjeç. Në terren janë anketuar gjithsej 1486 persona”, thuhet në njoftim.

Shtëpia botuese “Dukagjini” dhe organizata ETEA ua përcjellin më poshtë disa prej gjetjeve kyçe nga hulumtimi në fjalë:

Nga rezultatet që vijnë nga terreni, shtëpia botuese “Dukagjini” dhe organizata ETEA mësojnë se vetëm 7.2 për qind e qytetarëve të Republikës së Kosovës marrin pjesë rregullisht në aktivitete të cilat janë të dedikuara për promovimin e librit dhe leximit; shifër kjo mjaft e ulët dhe që pasqyron interesimin e kosovarëve/eve krahas librit.

Interesimi i zbehtë për aktivitetet kulturore që në qendër të vëmendjes e kanë librin përkthehet edhe në numra të ulët të mesatares së librave të lexuar për vit.

16.6 për qind e qytetarëve thonë se nuk lexojnë asnjë libër në vit, derisa 38.3 për qind thonë se lexojnë vetëm 1-3 libra për vit.

Për nivelin e ulët të leximit dhe mungesës së kulturës së leximit, qytetarët e Kosovës, në shumicë, kanë arsyetimin e njëjtë: 67.5 për qind e qytetarëve thonë se nuk kanë kohë të lirë për të lexuar dhe insistojnë se do të kishin lexuar më shumë nëse do të kishin më shumë kohë të lirë. Gjithsesi, të pyetur për preferencat e tyre gjatë kohës së lirë, vetëm 20.7 për qind e qytetarëve thonë se do të lexonin një libër në kohë të lirë, derisa 45.8 për qind preferojnë të shohin program argëtues, me 33.5 për qind që zgjedhin të bëjnë aktivitet sportiv.

Shtëpia botuese “Dukagjini” dhe organizata ETEA kanë nxjerrë të dhëna edhe lidhur me autorët e preferuar dhe titujt më të lexuar së fundmi nga qytetarët e Kosovës.

Sipas të dhënave që vijnë nga terreni, titujt më të preferuar te kosovarët/et janë “It ends with us” nga Coolleen Hoover dhe “Sikur të isha djalë” nga Haki Stërmilli. Në anën tjetër, autorët/et më të përmendur nga qytetarët/et e Republikës së Kosovës janë Ismail Kadare nga vendorët dhe Colleen Hoover nga të huajt. Ajo që i bën interesante këto zgjedhje të qytetarëve është se libraritë deklarojnë të ketë kohë që vepra të Ismail Kadaresë ose “Sikur të isha djalë” nga Haki Stërmilli të mos shiten në sasi të mëdha, ose në periudha të shpeshta kohore. Kurse, me Hoover situata qëndron më ndryshe.

Sipas hulumtimit, 31.29 për qind e qytetarëve nuk janë në gjendje të kujtojnë asnjë prej tre librave të fundit të lexuar.

11.3 për qind mund ta përmendin vetëm një titull libri, kurse 11.37 për qind dinë t’i përmendin dy tituj. Në përgjithësi, 52.24% nuk arrijnë t’i listojnë tre tituj librash në total.

Kjo e fundit lë të kuptohet se më shumë se gjysma e popullsisë së Republikës së Kosovës nuk ndërvepron pothuajse fare me librin.

Në këtë kuadër, gjatë anketimit në terren, respondentët janë pyetur edhe për qëndrimet e tyre lidhur me disa nga fjalitë dhe frazat e çuditshme të shpeshdëgjuara në komunikimet e përditshme të shoqërisë kosovare në raport me librin dhe të lexuarit, njëra prej të cilave është, “Me lexu shumë, bëhesh budallë”. Vlen të theksohet se 9.4 për qind e respondentëve kanë vlerësuar se kjo qëndron.

Në anën tjetër, lidhur me këto gjetje dhe përgjegjësinë institucionale në raport me gjendjen e nivelit dhe kulturës së leximit në Republikën e Kosovës, ende nuk u janë përgjigjur kërkesave për intervistim institucionet relevante.

Shtëpia botuese “Dukagjini” dhe organizata ETEA, në ditët në vazhdim, do të publikojnë edhe të dhëna të tjera lidhur me nivelin e të lexuarit në Kosovë dhe sfidat në të kultivuarit e një kulture leximi në shoqërinë kosovare.

Të dhëna më të detajuara do të jenë të qasshme për mediet dhe publikun sa u përket shkaqeve që kanë penguar/pengojnë kultivimin e kulturës së leximit, në një datë për të cilën shtëpia botuese “Dukagjini” dhe ETEA do t’ju njoftojnë paraprakisht, kur edhe do të bëhet publikimi i plotë i raportit hulumtues “Niveli i të lexuarit në Kosovë: Sfidat në të kultivuarit e kulturës së leximit”. Po ashtu, lidhur me këtë temë do të publikohet edhe një dokumentar i realizuar me 10 të intervistuar, përfshirë njohës të fushave dhe kritikë të ndryshëm.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika