Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka bërë të ditur se e ka dorëzuar kërkesën bashkë me 40 nënshkrime të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, për seancë të jashtëzakonshme.
Deputetët kanë kërkuar të diskutojnë për arrestimin e drejtorit të KEK-ut, Nagip Krasniqit.
“Sapo dorëzova kërkesën e mbështetur nga 40 deputetë për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit për nesër nga ora 11:00, ku do të kërkojmë përgjegjësi për aktualitetin e krijuar me rastin e arrestimit për korrupsion të zyrtarit të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje, i emëruar nga pushteti në krye të KEK-ut”, ka shkruar Tahiri.
Mbrojtja e drejtorit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, ka ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, kundër vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila ia ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Kështu ka bërë të ditur për Portalin Dukagjini, avokati mbrojtës i Krasniqit, Taulant Ferizi.
Ai thotë se po presin aprovimin e ankesës si dhe lirimin e Krasniqit në procedurë të rregullt apo që të shqiptohet një masë më e butë e sigurimit të pranisë të të pandehurit në procedurë.
Ky i fundit dyshohet se ka kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, “Ushtrimi i ndikimit’’ dhe veprën penale “Konflikti i interesit’’.