Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të vizitës zyrtare në Maqedoni të Veriut është pritur në takim nga kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, më të cilin biseduan për raportet mes dy shteteve.
Përmes një njoftimi për media është bërë e ditur se Osmani ka falënderuar Maqedoninë e Veriut për votën e saj në favor të Kosovës në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës, dhe në këtë kontekst kërkoi mbështetjen e njëjtë edhe në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) dhe në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.
Në këtë takim është diskutuar për rëndësinë e intensifikimit të bashkëpunimit ndërparlamentar, duke përfshirë dinamizimin e takimeve dhe ndërveprimeve të komisioneve parlamentare respektive.
“Në këtë drejtim u vlerësua roli dhe kontributi i grupeve të miqësisë në parlamentet e të dyja shteteve, duke inkurajuar qasje gjithnjë e më proaktive”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, sipas njoftimit, Osmani ka përmendur kontributin e shqiptarëve për shtetformim dhe shtetndërtim të Maqedonisë së Veriut dhe ka thënë se ata janë urë e fuqishme lidhëse ndërmjet të dy shteteve.
Ajo tha se ata dëshmojnë më së miri se si respektimi i të drejtave të njeriut rezulton me integrim të suksesshëm të komuniteteve të ndryshme në një shoqëri.
“Maqedonia e Veriut është partnere e Kosovës, lidhjet me të cilën i forcojnë edhe shqiptarët që jetojnë atje. Bashkë me Kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi, u pajtuam të vazhdojmë punën e përbashkët për ta intensifikuar bashkëpunimin dhe përpjekjet tona për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës”, ka shkruar Osmani në Facebook.