Një varkë gome që transportonte dhjetëra migrantë në Evropë, është fundosur në brigjet e Libisë, dhe së paku 55 persona janë mbytur, duke përfshirë gra dhe fëmijë, ka njoftuar të mërkurën Agjencia për migracion e Kombeve të Bashkuara (OKB).
Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) ka njoftuar se katastrofa ka ndodhur të martën. Varka mbante së paku 60 migrantë dhe u nis nga qyteti bregdetar Garabouli, në lindje të kryeqytetit libian, Tripoli.
Agjencia ka njoftuar se pesë migrantë i mbijetuan fundosjes së anijes dhe u sollën përsëri në breg nga rojet bregdetare libiane. Nuk ishte menjëherë e qartë se çfarë ndodhi me varkën.
Safa Msehli, zëdhënëse e IOM-it, ka thënë se anija është përmbysur menjëherë pasi u largua nga Garabouli. Ajo ka thënë se rojet bregdetare libiane deri më tani kanë nxjerrë trupat e nëntë burrave dhe një fëmije.
Në mesin e pesë të mbijetuarve ishin katër burra – tre pakistanezë dhe një egjiptian – dhe një fëmijë sirian, ka thënë Msehli për Associated Press.
Kjo është ngjarja e fundit në serinë e tragjedive në Detin Mesdhe, rrugë kyçe kjo për emigrantët.
IOM ka thënë se sivjet, deri më tash, së paku 537 njerëz janë mbytur ose janë zhdukur në katastrofat me migrantë në Mesdhe, ndërsa mbi 4 mijë e 300 persona janë kapur dhe janë kthyer në Libi.
Libia është shfaqur vitet e fundit si një pikë dominuese transiti për migrantët nga Afrika dhe Lindja e Mesme, që përpiqen të arrijnë në Evropë. Vendi i pasur me naftë u zhyt në kaos pas një kryengritjeje të mbështetur nga NATO, që rrëzoi dhe vrau autokratin shumëvjeçar, Muammar Gaddafi, në vitin 2011.
Trafikantët e qenieve njerëzore kanë përfituar nga kaosi në Libi vitet e fundit, duke kontrabanduar migrantë nëpër kufijtë e gjatë të vendit, i cili kufizohet me gjashtë shtete. Migrantët grumbullohen në anije të pajisura keq, duke përfshirë gomonet dhe nisin udhëtime të rrezikshme detare.
Sipas hetuesve të mandatuar nga OKB-ja, ata që kapen dhe kthehen në Libi, mbahen në qendrat e paraburgimit të qeverisë, përplot me keqtrajtime, duke përfshirë punën e detyruar, rrahjet, përdhunimet dhe torturat – praktika këto që përbëjnë krime kundër njerëzimit.
Keqtrajtimet shpesh shoqërohen me përpjekje për të zhvatur para nga familjet e të burgosurve, përpara se migrantët të lejohen të largohen nga Libia me varkat e trafikantëve.