Një person është plagosur të mërkurën e 26 prillit në Kamenicë.
Ai kishte vërejtur se i dyshuari kishte tentuar të kryejë vjedhje në një vendpunishte, e që më pas kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës.
Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës thuhet se i dyshuari ka ikur nga vendi i ngjarjes, ndërsa viktima është duke marrë trajtim mjekësor në spitalin rajonal të Gjilanit.
Gjendja e tij tashmë është stabile.
Ky rast në raportin e policisë është cilësuar si vrasje në tentativë.
“Viktima mashkull kosovar ka raportuar se ka vërejtur një të dyshuar deri me tani të panjohur, duke tentuar që të kryejë vjedhje në një vendpunishte, ku viktima ishte duke punuar. Sapo viktima e ka pyetur se kush jeni ju, i dyshuari ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës, me ç’rast e ka plagosur. I dyshuari ka ikur nga vendi i ngjarjes, ndërsa viktima është duke u trajtuar në spitalin rajonal të Gjilanit dhe gjendja e tij është stabile”, thuhet në raport.
Njësitet relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë gjetur dhe sekuestruar për procedura të mëtutjeshme hetimore një gëzhojë.
Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit, rasti në procedurë hetimore.